Intriga Qaka, Steaua lajmëron marrëveshjen dhe Iashi e mohon

Kamer Qaka është në udhëkryq, sepse duhet të zgjedhë ekipin e ri për sezonin e ardhshëm, por ndërkohë nuk është në dorën e tij, pasi kartoni i përket Poli Iashit dhe disa menaxherëve që e kanë çuar në Rumani.

Për këtë arsye, duhen kënaqur të gjitha palët dhe në verë pritet ankand, me vlerë fillestare 700 mijë euro sipas Iashit.

Fundjavën e shkuar Iashi mundi bujshëm Steauan, duke i hequr ndoshta titullin, ndërsa para ndeshjes pati debat në distancë mes presidentëve të dy klubeve.

Pronari i Steauas (teknikisht SBFC, sepse i është hequr emri) Xhixhi Bekali, deklaroi se mesfushori shqiptar do të jetë transferimi i parë në merkaton e verës për Steauan, pasi ka gjetur marrëveshjen me përfaqësuesit e lojtarit.

E kundërta ka ndodhur kur është pyetur presidenti i Poli Iashit, Adrian Ambrosie, i cili ka mohuar prerë deklaratën e Bekalit: “Është taktikë e tij që të ngacmojë me deklarata të tilla lojtarët më të mirë të kundërshtarit para një takimi të rëndësishëm. Nuk kam pasur asnjë bisedë me Steauan dhe nuk ka asnjë marrëveshje për Qakan, i cili kërkohet nga Universitatea e Krajovës, Zaragoza e disa klube të tjera”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *