Intervistat/ Shpëtim Duro: Ka lojtarë që mendojnë se janë dikushi, “fodullat” dërguan Kukësin deri këtu

Luftëtari ka marrë një pikë të vlefshme në ditën e sotme pasi ka barazuar pa gola ndaj Kukësit. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 18 të Superiores, por bluzinjtë kanë dalë sërish të zhgënjyer nga stadiumi i tyre sepse kishin shanse për të fituar, duke pasur edhe një rast me polemika për një gol të anulluar. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e dy trajnerëvë për “Supersport” në përfundimin e takimit:

Nikolin Çoçlli (Luftëtari): “Që kur erdha këtu, kisha një besim të jashtëzakonshëm. Kjo pasi ka futbollistë të rinjë dhe me nivel pasi i kam parë në grupmosha. Kanë nivel të admirueshëm, siç e patë edhe sot në lojë. Orientimin e kanë marrë përgjatë kësaj kohe dhe sot e kishim mundësinë për ta fituar. Ne kemi krijuar një strategji me presionin në mbrojtje. Pra kush e kupton këtë gjuhë, e ka të thjeshtë për të analizuar mënyrën e lojës. Duhet që të dish forcën e kundërshtarit dhe të barazohesh me të në një farë mënyre. Djemëve u kam thënë që këtë ndeshje duhej ta luajnë me shpirt dhe i falenderoj. Goli i anulluar? Nuk e kam idenë se përse u anullua, nuk kam parë asnjë faull aty dhe arbitri merr një vendim abstrakt”.

Shpëtim Duro (Kukësi): “Që të fitosh nuk duhet vetëm të luash futboll, por edhe të sakrifikosh. Pjesa e parë ka qenë jashtë fare pritshmërive të mia. Në të dytën kemi dominuar, por duke gabuar në momentin final. Kundërshtari na tregoi se futbolli është i çuditshëm dhe ky barazim nuk ka asnjë lloj justifikimi për ne. E kam thënë më para që futbolli këtu nuk ka diferenca dhe nuk fitohet titulli me deklarata. Ka lojtarë që mendojnë se janë dikushi, por duhet të sillen më profesionistë. Kisha pak frikë se terreni është i keq krahasuar me ato në Turqi ku kemi luajtur së fundmi. Frika ime rezultoi siç e mendova pasi ndikoi edhe në qarkullimin e topit. “Fodulla” te Kukësi? Janë këto “fodulla” që e kanë dërguar Kukësin si kryesues, çdo ndeshje ka histori më vete. Nuk ishte kjo ndeshja më e dobët e jona pasi nuk mund të ul vlerat e lojtarëve tonë, megjithëse nuk ka justifikime. Gabimi i arbitrit? Gjëra që ndodhin në futboll dhe ne na kanë penalizuar në fazën e parë. Ai akordoi faull që në momentin e parë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *