Intervistat/ Marantas si kurrë më parë: E përgëzoj arbitrin, ishte shumë i zgjuar

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e radhës të Superiores për javën e 12. Kështu është ekipi i Bylisit që është thyer në një ndeshje të çmendur, duke humbur me rezultatin 2-3 ndaj Skënderbeut pas dy përmbysjeve. Nga ana tjetër Luftëtari dhe Teuta janë ndalur në një barazim pa gola mes tyre. Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e trajnerëve të dhëna në përfundim të ndeshjes për “Supersport”:

Daja (Skënderbeu): “Kishim shumë mungesa, duke i shtuar Ditën dhe Dajën. Kemi kaluar në një mbrojtje me tre dhe që nuk e kishim praktikuar shumë, prandaj kalonim me 5. Sakrifikuam dhe disa lojtarë që nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë shëndetsore. E përmbysëm rezultatin dhe fati na buzëqeshi pasi e kërkuam. Meritat e kishin totalisht lojtarët. Bylisi shtyn shumë përpara dhe krijon hapësira në linjën e mbrojtjes dhe ne kishim punuar në këtë punë, sidomos me topat pas shpine. Pikërisht në këtë mënyrë i kemi fituar edhe penalltitë. E rëndësishme është që fituam”.

Shkëmbi(Teuta): “E kemi dominuar, por nuk duhet të gjejmë justifikime. Duhej ta fitonim me patjetër. Kjo dëshira e madhe për fitore nuk mund të jetë justifikim. U munduam dhe e patëm lojën në kontroll. Mungoi qetësia para portës dhe pasimi i fundit. E di që mund edhe ta humbnim ndeshjen, por kjo është e kuptueshme pasi ishim të gjithë në sulm. Lojtarët kishin ide në fushë dhe bën mirë. Sigurisht që ishte e vështirë me atë vendosje mbrapa të Luftëtarit, por i kishim rastet”.

Dovedan (Bylis): “Problemi ynë nisi që me humbjen e penalltisë nga Hidi, pasi nëse do të shënohej, do të kishte tjetër ritëm. Penalltia e parë e Skënderbeut ishte pa lidhje, çfarë kishte për penallti aty? Sa i përket përmbysjes, ky është futbolli, prandaj është i bukur. Nuk mund të bëj një analizë të saktë të lojës duke parë këto gabime të arbitrit”.

Marantas (Luftëtari): “Mund të them se unë kërkoja fitore, ashtu si edhe ekipi. Por luajtëm ndaj një ekipi të fortë, ndërsa siç erdhi rezultati, ne e pranojmë. Jam pak i mërzitur sepse doja 3 pikë. Ne duhet të bëjmë një merkato të mirë në janar dhe të luftojmë për mbijetesën. Nuk ka rëndësi nëse do jem apo jo unë këtu. Ky ekip duhet të rritet dhe ka shumë vështirësi. Dua t’i falenderoj tifozët që ishin të pranishëm. Dua të ekip pak respekt për këtë ekip historik sepse i ka dhënë futbollin shqiptar. Gjithashtu dua t’i jap lavdërime arbitrit sepse ka qenë shumë i zgjuar. Kërkoj një lojë të shpejtë dhe këtë e bëjnë vetëm arbitrat e zgjuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *