Intervistat/ Jonuz pas fitores me Luftëtarin: Shënuam 4 gola, por kemi bërë disa gabime

Në Kategorinë Superiore janë zhvillluar ndeshjet ku Laçi ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1 ndaj Flamurtarit, ndërsa Vllaznia ka mundur në shifrat 4-0 Luftëtarin. Përballje të lehta këto për ekipet që kanë triumfuar me festival golash. Ndërkohë më poshtë gjeni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport” menjëherë pas mbylljes së takimeve:

Cungu (Laçi): “Me rëndësi janë tre pikët e marra. Nuk pretendonim ndonjë lojë brilante, pasi edhe fusha linte për të dëshiruar. Gjithashtu kishim edhe pak tension nga ndeshjet e kaluara. Duhej ta mbyllnim takimin dhe të kishim shënuar më tepër gola, pasi asnjëherë nuk ka siguri. Prej tensionit kemi gabuar shumë dhe duhet të korrigjohemi. Kemi falur tepër, të jemi më të përgatitur.Të gjithë janë mësuar me Nuabuezen që të shënonte nga dy gola në javë, por ky është futbolli. I ka shërbyer ekipit dhe duhet të vazhdojë kështu. Ka konsumuar më tepër energji dhe ka luajtur më tepër te Laçi. Prandaj luhatjet në lojën e tij janë mëse të pranueshme”.

Coclli (Luftëtari): “Situata ka qenë e vështirë, pasi humbëm me Flamurtarin dhe e dinim që do të ishte psikologjia e rënë. Kemi gabuar në fazën sulmuese, pasi lojtarët e rinjë nuk janë ambientuar me fushën dhe portën. Pastaj kthehet në bumerang, pasi nëse gabon në sulm, kjo vjen edhe në mbrojtje. Pastaj do të ndëshkohesh. Më bëri përshtypje se loja ishte e ekuilibruar në aspektin teknik. Kemi zotëruar në qarkullimin e fushës, por nuk ka mentalitet loje cilësore”

Troisi (Flamurtari): “Është gjithmonë e njëjta pasqyrë ku nga gabimet tona e pësojmë. Kemi bërë disa gabime fëmijnore dhe nuk jemi mirë në mbrojtje. Por zgjedhjet e mia janë të detyruara, shumë lojtarë mungojnë në stërvitje për arsye familjare, personale dhe dëmtime. Sigurisht që e dimë se tifozët nuk afrohen në stadium pasi jemi në vendin e fundit.

Migen Memelli e pyet: “Po ndërtoni skuadrën për të ardhmen, apo prisni që të dënohet Skënderbeu nga UEFA, të kaloni Luftëtarin dhe të shpëtoni?”.

“Sigurisht që ne duam të grumbullojmë sa më tepër pikë dhe duket se duam të kalojmë Luftëtarin. Ekzistojnë disa shanse për të na mbajtur në lojë dhe ne do të luftojmë për këtë gjë”.

Jonuz (Vllaznia): “Kemi bërë shumë gabime në fushë dhe mes lojtarëve ka munguar komunikimi në mbrojtje. Kjo nuk na lejohet dhe duhej të ruheshim nga kartonat, pasi ndeshjen tjetër e kemi ndaj Skënderbeut. Por arritëm të fitonim dhe të shënonim 4 gola. Komunikimi nuk ka qenë i mirë as me sulmit dhe mbrojtjes. 4 golat erdhën nga 4 aksionet e rregullta që u ndërtuan”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *