Intervistat/ Dovedan shpërthen për golin e dytë: U dhanë 4 minuta shtesë, erdhi në të 6-tën

Tirana ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit në një çmenduri të madhe. Tre pikët e radhës janë marrë në sekondat e fundit të takimit pasi Ngo arriti të dërgonte topin në rrjetë në shansin e fundit për bardheblutë. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e dy trajnerëve menjëherë pas ndeshjes për “Supersport”:

Egbo (Tirana): “Tirana fitoi pasi ne kemi duruar deri në momentin e fundit. Te goli i dytë ka qenë shumë rrëmujë, ka pasur përplasje në zonë dhe unë nuk shoh ndonjë faull, është shumë gol i qartë. I thashë djemëve që asnjëherë nuk duhet që ta lëshojmë lojën. Unë mund të them që edhe te ajo penalltia që iu dha Bylisit duhet parë nëse Doka e preku topin me dorë apo me gjoks. Vangjeli vazhdon akoma si mbrojtës sepse nuk është mirë të ndryshohet ekipi fitues dhe Osmani nuk është mirë ende te 100% i tij. Ernest Muçi do të futet gjithmonë në kohën e duhur, nuk ka vend për polemika. Zoti ka qenë me ne siç ka qenë gjithmonë dhe ai na e dha këtë fitore. Kur njeriu bën yzmetin punës, ai të jep meritat”.

Dovedan (Bylis): “Deri diku jam i kënaqur me lojën, por jam irrituar me golin. Kur janë 4 minuta shtesë, si mund të bëhet goli në minutën e 6 shtesë? Këtë nuk e kuptoj. Kam pretendimet e mia edhe kur u dha ai faulli në momentin e fundit pasi Goxha nuk pati kontakt. Për më tepër kemi edhe pretendimet se ishte pozicion jashtë loje goli i dytë. Ajo ishte edhe faull edhe pozicion jashtë loje për mua”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *