Intervistat/ Bregu flet si “vlonjat”: Golat ndaj Partizanit? Asgjë tjetër veç aftësisë sime

0

Dy ndeshjet e radhës të Superiores janë mbyllur atje ku Skënderbeu dhe Laçi kanë fituar takimet e tyre përkatësisht ndaj Partizanit dhe Teuta. Në takimin kryesor të kampionatit shqiptar që u zhvillua në Korçë ka pasur 5 gola në fitoren 3-2 dhe shumë polemika. Ndërkohë kurbinasit fituan 0-1 falë Turkajt që shënoi me kokë. Ndërkohë më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e trajnerëve dhe protagonistëve për “Supersport”:

Cungu (Laçi): “Pas dy rezultateve aspak të pritshme, sidomos ajo në shtëpi ndaj Tiranës, duhej që të reagonim. E rëndësishme ishte për mënyrën sesi e kemi fituar ndeshjen. Kontribut kanë dhënë shumë lojtarë që kanë luajtur në nivelin e duhur. Sigurisht që ishte stresuese që kemi kryer dy zëvendësime menjëherë në fillim të pjesës së dytë, pasi mund të kishim dëmtime apo kartonë të kuq, por falë djemëve nuk ka ndodhur”.

Sormani (Partizani): “Ndoshta rezultati nuk e tregon, por ne kemi luajtur shumë mirë. Ne nuk ishim mirë vetëm për 20 minuta, por në tërësi. Nëse Telushi do të shënonte atë penalltinë e dytë, mund të kishim fituar. Duhet që të vazhdojmë të luajmë dhe duhet të mendojmë për ato raste që kemi humbur. Për arbitrin nuk flas, më tregoni çfarë pamjesh të dëshironi, por nuk do të flas dhe e keni të kotë. Ferati ka bërë një ndeshje shumë të mirë ndaj Skënderbeut, megjithëse kemi aktivizuar edhe Romeron. Për të fituar një ndeshje duhet të jesh konstant dhe kampionatin e tregon klasifikimi”.

Martini (Teuta): “Laçi e ka merituar fitoren dhe përse ne jemi të zhgënjyer. Sigurisht që na erdhi keq për shkakun se Kulibali nuk është federuar, pasi ishim përgatitur gjithë javës që të luanim me të. Por prej këtej edhe ne nxjerrim mësime. Për mua do të ishte më mirë që Superiorja të mos ndërpritej pasi ishim në nivele të larta, por kjo nuk varet nga ne”.

Daja(Skënderbeu): “Ishte një ndeshje me ritëm të lartë. Ajo që ne shohim me kujdes është se kemi marrë pikë me ekipet pretedente në Superiore, po aq sa edhe na kanë marrë. Loja ishte e barabartë edhe para se të dilte me karton të kuq Broja. Për mua rasti i parë i penalltisë nuk ishte për Partizanin. Por nuk dua që të flas dhe të merrem me arbitrat. Nëse shihni moviolën te Skënderbeut në përgjithësi shihni 1 rast në favor dhe 15 të tjerë kundër tij. A janë këto gabime njerëzore? Këto janë fakte. Ndërrimet i bëra vonë pasi kishim lojtarë të rinjë dhe me pak minuta në këmbë prandaj nuk doja të rrezikoja me ndërrimet. Kur shkova në dhomën e zhveshjes e ula euforinë e lojtarëve dhe i thashë: “Gëzoni, por kemi ndeshje prapë pas 3 ditësh”.

Dejvi Bregu: “Golat ndaj Partizanit? Nuk besoj se është rastësi apo diçka personale. Është 100% aftësia ime. Në momentet e vështira ne humbasim përqendrimin dhe kjo nuk falet. Kur kalojmë në disavantazh e humbim disi fillin dhe kjo nuk duhet të ndodhë më, ashtu si edhe sot që ia dolëm. Deri në momentin që të jem pjesë e Skënderbeut do të jap maksimumin për të, siç e tregova sot dhe gjithmonë. Ky gol i dedikohet pikërisht tifozëve korçarëve. Luftëtari dhe Flamurtari? Nuk ndahet “mishi nga thoi”, më vjen keq për të dyja dhe që të mos jenë më në atë gjendje”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.