Intervista/ Ze Maria rrëfen “safarin shqiptar” dhe largimin nga Tirana

Pas 16 muajve në krye të Tiranës, Ze Maria i dha lamtumirën bardhebluve. Një ndarje me mirëkuptim, por që la shumë pikëpyetje rreth situatës brenda skuadrës, çështjeve me lojtarët dhe problemeve në klub. Në intervistën për RTSH, Ze Maria foli rreth eksperiencës në “safarin shqiptar”, siç e cilëson ai, mbresave të mira nga vendi ynë, ndërsa mes radhëve foli edhe për ngjarjet që shoqëruan largimin e tij. Braziliani i argumentoi problemet e këtij sezoni me faktin se persona të caktuar “kërkonin më të mirë për veten dhe jo të mirën e përbashkët”, ndërsa tha se “nëse ka patur një komplot kundër trajnerit, lojtarët e përfshirë nuk e meritojnë ta veshin fanellën bardheblu”.

Trajner, si ka qenë kjo eksperiencë e juaja në Tiranë?

– Do të më mungojë Tirana, pasi është një qytet që më pëlqen shumë. Akoma nuk e kam njohur plotësisht, pasi nuk kam pasur shumë kohë. Ishte një ndryshim radikal nga safari i Afrikës në safarin e Shqipërisë. Janë dy vende të ndryshme, por mund të them se ka qenë një eksperiencë e bukur. Për mua ishte shumë e vështirë të vija këtu. Në Itali njerëzit nuk flisni mirë për vendin tuaj, por kam ndryshuar opinion. Kam gjetur njerëz të mire, me të cilët ke dëshirë të flasësh e të kalosh kohë. Ishte krejtësisht ndryshe me çfarë kisha dëgjuar. Ishte pak e vështirë për familjen time për shkak të gjuhës, megjithatë në Shqipëri flasin edhe italisht dhe nuk e patëm shumë problem. Tek Tirana si ekip gjeta pasionin e tifozëve dhe kjo më pëlqeu, ndaj identifikohem me Tiranën.

Sa ndryshon futbolli nga vendet ku ju keni pasur eksperienca në të shkuarën me futbollin shqiptar?

– Unë kam punuar si trajner dhe si futbollist në shumë ekipe. Të gjithë klubet kanë probleme, por më e rëndësishmja është që njerëzit t’i duan që t’i zgjidhin këto probleme. Këtu kam hasur vështirësi në këtë drejtim, por dua të them se nuk është gjithnjë faji i presidentit, por dhe i njerëzve që punojnë me të, që në shumë raste i shtojnë këto vështirësi.

Më parë është folur se ju mund të kishit marrë një tjetër skuadër para Tiranës, mund të na zbuloni diçka më shumë?

– Një vit para se të vija tek Tirana, më ka marrë i njëjti person që më solli këtu. Më tha të trajnoja një ekip të madh, por unë kisha një projekt në Kenia dhe i thash ‘Jo’. Më pas pranova të vija te Tirana pas shumë insistimeve të tij. U njoha me historinë e Tiranës dhe më pëlqeu ajo që mësova.

Cilat do të veçonit si momentet më të vështira gjatë periudhës që drejtuat Tiranën?

– Nuk e di se çfarë ndryshoi. Unë punova njësoj si një vit më parë, me të njëjtin seriozitet dhe me dëshirën për t’u rritur si trajner dhe për të fituar çdo gjë. Duhet të vazhdoja me po të njëjtin ritëm. Kategoria Superiore është më e rëndësishmja, por kur fillon kompeticionin të gjithë të vënë si detyrë që të fitosh ndeshjen. Kjo nuk funksion kështu, pasi duhet të jemi të gjithë bashkë për të mirën e klubit dhe jo vetëm duke kërkuar më të mirën vetëm për vete. Kjo ka qenë një nga gjërat negative në këtë vit. Derbi nuk ka qenë momenti më i vështirë, pasi duhet të dini se për mua, çdo ndeshje vlente 3 pikë dhe një ndeshje të tillë nuk ke nevojë të vendosësh presion mbi lojtarët, pasi kjo gjë i dëmton. Derbi  është përballja më e thjeshtë për të karikuar lojtarët, për vetë rëndësinë që mbart. Pas asaj ndeshjeje presioni që do të ikja u rrit më shumë, por unë isha më i qetë me punën time.

Tifozët janë parë që e përkrahnin punën tuaj…

– Mes meje dhe tifozerisë u krijua një marrëdhënie shumë e mirë. Ata  e panë mënyrën time të punës dhe dëshirën për të përmirësuar çdo gjë dhe e kanë vlerësuar. Ata janë tifozë të vërtetë të ngjyrave të Tiranës. Më vjen keq që nuk u përgjigja me fitore dhe me pikë apo me sukses në derbi. Doja t’i bëja krenarë dhe të lumtur këtë vit për këtë ekip.

Cilët do të veçonit si tre trajnerët më të mirë në Kategorinë Superiore?

– Me asnjë trajner në Shqipëri nuk kam raporte të tjera veç atyre profesionale. Ruaj respekt për të gjithë. Në botën e futbollit miqtë janë shumë pak. Për mua trajner i mirë është Orges Shehi, i cili sapo e ka nisur këtë karrierë dhe po ecën mirë. Është Ilir Daja i Flamurtarit, por dhe tekniku i Partizanit, që po bën gjëra të mira. Këta të tre mund të ndryshojnë gjërat këtu. Unë kam pasur problem, pasi nuk mendoj si ata, kjo për faktin se kam një kulturë tjetër, jam brazilian dhe jo shqiptar.

Pas derbit u përfol se mes jush dhe lojtarëve ka pasur një hendek… është e vërtetë se, ju ruani distancë me futbollistët?

– Kur isha futbollist nuk kam pasur raporte të afërta me trajnerët. Miqësia ndonjëherë ngatërrohet dhe unë kam mbajtur distancë me ta, për të mos i komplikuar gjërat. Kisha stafin tim, që ishin pranë lojtarëve dhe më tregonin gjithçka. Dera ime ka qenë e hapur gjithnjë për futbollistët. Kur gjërat nuk ecin mirë kërkojnë justifikime për të mbuluar problemet. Nuk mendoj se ka qenë një mungesë komunikimi. Po kalonim një moment të vështirë dhe u tha kështu, por nuk është e vërtetë. Unë kërkoja që të kisha formacionin më të mirë në fushë dhe bëra ndryshime. Kam folur dhe me kapitenin. Për mua janë të gjithë njësoj dhe të gjithë meritojnë të luajnë. Nuk kisha asgjë, as me Karabecin dhe me askënd tjetër. U dhashë mundësinë të gjithëve, të më tregonin se mund të luanin. Nuk dua të mendoj se ata kanë qenë kundër meje, pasi kjo nuk është profesionale. Nëse ka qenë e vërtetë, ata nuk mund të veshin këto ngjyra, pasi është mungesë serioziteti dhe të punosh kundër trajnerit do të thotë të punosh kundër shokëve dhe klubit tënd.

Cili është mesazhi juaj i fundit para largimit dhe ku mund t’u shohim në të ardhmen?

– Tiranës i duhet të ndryshojë disa gjëra, duke nisur nga trajneri i pari dhe më pas disa lojtarë për të përmirësuar situatën. Unë ika dhe kjo është e drejtë sepse nuk mund të ndryshosh 10 lojtarë. Gabimi ishte i imi! Dua t’u them lojtarëve që të japin çdo gjë në fushë,  pasi janë të aftë për të ndyshuar situatën, për t’i falur kënaqësi vetes dhe atyre që janë rreth klubit. Nëse gjërat bëhen mire, mund të arrijnë shumë larg. Unë do të kthehem në Itali për të analizuar disa propozime për punë dhe do u them kur të kem një emër konkret. Ka qenë kënaqësi të punoj me të gjithë ata që më kanë rrethuar dhe më kanë falur kënaqësi. Uroj që të shihemi sërish në të ardhmen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *