Interit i duhen 45 milionë euro, ja rruga pa shitur Ikardin

Interi është në kulmin e punës në merkato, edhe pse për momentin duket në qetësi, pas zyrtarizimit të sulmuesit Lautaro Martinez. Është koha për llogari dhe për përmirësimin e bilancit me të famshmet “plusvalenca”, temë që i irriton pa masë tifozët, të lodhur tashmë nga kursimi pa fund, por është diçka tepër e nevojshme për klubit. Duhet 45 milionë euro deri më 30 qershor, për të respektuar marrëveshjen me UEFA-n për Fair-Play financiar, para se të nisë puna për përforcime për sezonin e ardhshëm. Për të shmangur shitjen e ndonjë prej yjeve të skuadrës, si Ikardi apo Shkriniar, drejtori sportiv Piero Auzilio po organizon shitjet që duhen kryer deri më 30 qershor, për të arritur shifrën e kërkuar. Mision i pamundur, në pamje të parë, mision i vështirë për drejtuesit zikaltër, që do të luftojnë deri në ditën e fundit të muajit.

LËVIZJET – I hedhim një sy skuadrës së Interit, duke përfshirë lojtarët që kthehen nga huazimit. Nëse përjashtohen Ikardi e Shkriniar, lojtari që ka më shumë treg dhe krijon vlerë plus në merkato është Marselo Brozoviç. Kroati është paguar 8 milionë euro te Dinamo e Zagrebit dhe ka kontratë deri në vitin 2021, ndërsa Interi shpreson ta shesë rreth 30 milionë euro. Nëse kjo ndodh, zgjidhet gjysma e problemit, nëse gjendet klubi që e blen, ashtu si mund të zgjidhet gjysma tjetër e problemit nëse gjendet një blerës për kroatin tjetër Ivan Perishiç. Ky i fundit ka kontratë deri më 2022 dhe është paguar 19 milionë euro, ndërsa verën e shkuar erdhën oferta shumë joshëse për të, deri në 40 milionë euro. Për të shtuar vlerat plus në bilanc mund të shitet Nagatomo, i cili kërkohet nga Gallatasaraj.

TË RINJTË – Andrea Pinamonti është një ndër lojtarët më të vlerësuar në treg nga të rinjtë e Interit, ndërkohë që lidhja e tij me Mino Raiolën bën që të jetë gjithnjë e më larg Milanos. 19-vjeçari është në shitje dhe Interi shpreson të përfitojë të paktën 7 milionë euro, nëse fut dot në kontratë klauzolën e riblerjes. Edhe rumuni George Pushkash ka treg, sepse vjen nga një sezon i mirë personal mes Beneventos e Novarës, ndaj mund të përfitohen mbi 5 milionë prej tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *