Interi nuk ka para, Kanselo drejt rivalit të urryer

Zhoao Kanselo zbarkoi pa bujë në Itali verën e shkuar, kur Interi e mori në huazim nga Valencia. Mbrojtës i djathtë, titullar në dy sezonet e shkuar të Valencia, që e kishte paguar 15 milionë euro të Benfika, por aventura me Interin nuk nisi mbarë.

Mbrojtësi dukej i papërshtatshëm për skemat e Spaletit, i cili e uli shpesh në stol, por pak nga pak talenti i portugezit doli në pah dhe me kalimin e kohës Spaleti i dha besim, duke i korrigjuar gabimet taktike.

Në fund bilanci ishte shumë i mirë për Kanselon, që mori vlerësime nga mediat dhe tifozët, por huazimi i tij nuk u kthye në blerje përfundimtare, sepse Interi nuk ka mundësi të paguajë 35 milionë eurot që dëshironte Valencia, me klauzolën që skadoi më 31 maj.

Tani në skenë ka dalë Juventusi, që e ka pëlqyer shumë portugezin kur e ka pasur përballë dhe ka nisur bisedimet me Valencian. Klubi spanjoll ka detyrimin të arkëtojë 40 milionë euro deri në 30 qershor, pasi është nën presion nga rregullorja e Fair-play financiar.

Juventusi nuk u ofron 40 milionë, por ka vënë në tryezë 15 milionë plus sulmuesin Marko Pjata. Talenti kroat ka zhgënjyer te Juventusi dhe nuk shpërtheu as gjatë huazimit te Shalke, por është grumbulluar nga Kroacia dhe mund të shkëlqejë në Kupën e Botës, çka do të rriste ndjeshëm vlerën në treg. Valencia do paratë, por ideja Pjata e tundon dhe nëse shet dikë tjetër deri në fund të qershorit, marrëveshja me Juventusin mbyllet lehtë, duke parë që edhe vetë Kanselo dëshiron Juventusin, duke refuzuar Ulvërhemptonin, ku dëshiron ta çojë agjenti i tij Zhorzh Mendesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *