Interi hedh pas Championsin, “panenka” e Ikardit mjafton ndaj Udinezes

Interi duket se e ka hedhur pas krahëve eliminimin e hidhur nga Championsi dhe arriti një sukses mjaft të rëndësishëm ndaj Udinezes me shifrat 1-0 . Një fitore mjaft e vuajtur për ekipin zikaltër, teksa u desh dhe ndihma e sistemit VAR për të akorduar 11-metërshin, që i dha fitoren ekipit të Spaletit.

Ndeshja u dominua e gjitha nga ekipi zikaltër, ku portieri i Udinezes Muso ishte ndër më të mirët në fushë. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve u mbyll në shifrat e bardha 0-0. Në fraksionin e dytë, Interi vijoi të ishte këmbëngulëse dhe në minutën e 75-të përpjekjet duket se u shpërblyen.

Seku Fofana preku një top me dorë në zhvillimet e një goditje nga këndi dhe ndonëse gjyqtari i takimit nuk ishte i vëmendshëm ndaj episodit, sistemi VAR erdhi në ndihmë. Te pika e bardhë u drejtua i zakonshmi Ikardi, i cili shënoi me një “panenka” duke çliruar “San Siron” dhe duke i dhënë fitoren ekipit të tij.

Kështu, Inter ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vendin e tretë, teksa javën e ardhshme do të udhëtojë drejt Veronës, për t’u ndeshur ndaj Kievos. Ndërkohë, Udineze nga ana tjetër, vijon të jetë në pozita të vështira, teksa mban vendin e 17-të në kuotën e 13 pikëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *