Interi e mbyll 2019-n me hap kampioni, kryevepra e Lukakut është për “kornizë”

Interi mëson nga gabimet e dy javëve më parë dhe rikthehet sërish te fitorja, madje këtë herë duke mposhtur Xhenoan me goleadë. Kështu fitorja e sotme me shifrat 4-0 bën që zikaltrit ta mbyllin këtë vit kalendarik në krye të klasifikimit të Serie A, ku udhëheqin me pikë të barabarta me Juventusin.

Ekipi i Kontes do e gjente golin e parë në minutën e 31, ku Lukaku do të shënonte me kokë, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, sulmuesi belg do të shërbente për Galjardinin. Ky i fundit, pas një devijimi nga mbrojtësi kundërshtar, do të dyfishonte shifrat e takimit. Ndërsa goli i tretë u realizua në pjesën e dytë të ndeshjes, teksa talenti i ri i Interit, Esposito, do të tregohej i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Por spektakli do të vinte në minutën e 71, ku Lukaku shkarkon të majtën e tij kur gjendej në hyrje të zonës për ta dërguar topin në trekëndësh dhe për t’ia bërë pritjen një mision të pamundur portierit./Sport Ekspres/