“Interesi kryesor të nisë Superiorja”, Nurishmi konfirmon kërkesën zyrtare: Kemi gati planin për kategoritë e tjera

0

Federata Shqiptare e Futbollit e ka hedhur edhe hapin zyrtar për të rinisur Superiore. Tashmë është në pritje të një përgjigjeje pozitive nga institusionet përkatëse shtetërore, në mënyrë që ekipet të fillojnë nga puna. Shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, e ka konfirmuar një gjë të tillë në një intervistë me gazetaren Enkelejda Zeko në “Syri TV”, ndërsa tregon se interesi primar i Federatës është të fillojë Superiorja dhe të mbyllet gjithçka brenda afatit të 3 gushtit të vendosur nga UEFA. Ndërkohë Nurishmi bën me dije se në bazë të mënyrës se si do të shkojë kategoria elitare e futbollit shqiptar, atëherë do të vendosin në zbatim edhe planin për ligat më inferior të Katedorisë së Parë dhe të Dytë, si dhe kampionatet e moshave.

“Normalisht që FSHF-ja ka qenë çdo ditë e interesuar dhe ka qenë në bashkëpunim me klubet dhe në kontakt me organizmat ndërkombëtare për të rifilluar kampionatin. Edhe me institucionet shtetërore kemi patur kontakte për të caktuar një datë kur mund të rifillojë kampionati. Sekretari i Federatës, Ilir Shulku, u ka kërkuar me anë të një shkrese zyrtare Ministrive të Shëndetësisë dhe Sportit datën 2 maj për të rifilluar stërvitjen dhe më 20 maj të rifillojë zyrtarisht kompeticioni. Nëse kemi shtyrje, jemi të hapur të diskutojmë me ekspertët për të marrë udhëzimet për kushtet që duhen plotësuar, për të garantuar higjienën dhe masat përsa i përket shëndetit.

Interesi kryesor është që të fillojë Superliga, pasi edhe udhëzimet e UEFA-s kështu janë. 3 gushti është data që duhet mbaruar aktiviteti, ku do të jepen verdiktet përsa i përket skuadrave që do të marrin pjesë në Kupat e Europës. Superliga është dhe testi ynë, pasi kushtet dhe infrastruktura janë më të sigurta. Do të luhet pa tifozë dhe kjo është një situatë e re, jo normale. Duke parë si do të shkojë Superiorja, kemi gati planin edhe për kampionatet e tjera, nga Kategoria e Parë deri te moshat. Pra, fillimisht do të nisim me Superligën dhe më pas të mbyllim sezonin futbollistik”, ka thënë Lysien Nurishmi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.