Inter, “dritë jeshile” për dy super-blerje

Interi përgatit dy blerje të mëdha në merkato, për të rivalizuar në Serinë A dhe për të shkuar sa më larg në Champions. Afrimi i Vërsaljko jepet praktikisht i mbyllur, ndërsa priten zhvillime edhe për Vidal.

Zyrtarizimi i kroatit duket vetëm çështje kohe, ndërsa blerja e mesfushorit nga Kili është një çështje që kërkon durim. Fjalët e Spaletit konfirmuan se krahu i djathtë i Interit pret vetëm nënkampionin e botës, ndërsa në mesfushë kanë nisur të konkretizohen zërat për mesfushorin e Bajernit, i cili u përfol edhe vitin e kaluar.

Tashmë gjithçka do të varet nga Ausilio, i cili ka marrë edhe “dritën jeshile” nga Suning për të mbyllur dy operacionet në merkato dhe të ndërtojë një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri. Për Vërsaljko, zikaltërit synojnë huazimin për 6 milionë euro dhe blerjen e kartonit me 16 milionë euro të tjera. Për momentin pritet përgjigja e Atletikos së Madridit, me dy klubet që duken pranë akordit.

Në anën tjetër, Bajerni pretendon 30 milionë euro për Vidal, shifër e cilësuar e lart nga drejtuesit e Interit, për një futbollist që është në 12 muajt e fundit të kontratës. Gjithsesi, negociatat do të vazhdojnë dhe pas një viti ku “luftëtari” u mendua pranë Interit, tashmë ndoshta është momenti që marrëveshja të konkretizohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *