Insinje pranë largimit? Fajin e kanë tifozët dhe… agjenti i ri!

Lorenco Insinje është një nga pikat më të forta të ekipit të Ançelotit. Sulmuesi është një napolitan puro, por ky mund të jetë sezoni i fundit që luan me ekipin e zemrës.

27-vjeçarit i përfundon kontrata me Napolin në verën e vitit 2022, por ai mund të vendosë të bëjë hapin e madh në fund të sezonit. Kritikat e shumta e kanë lodhur dhe diçka e tillë u vu re në prononcimin pas barazimit 1-1 kundër Sasuolos në kampionat.

Nuk dua të krijoj polemika, por unë jam i vetmi që kritikohem gjithmonë kur nuk shënoj apo kur nuk zhvilloj ndeshje të mira. Diçka e tillë më dhemb. Përpiqem gjithmonë që të jap maksimumin, nuk dua polemika dhe i pranoj kritikat. Kam kërkuar edhe falje kur kam gabuar. Më shumë se kaq nuk mund të bëj”, u shpreh shtatshkurtri i Napolit.

Insinje ka vendosur të ndërrojë agjent dhe në prill do të nisë punën me njëfarë Mino Rajola. Agjenti i famshëm njihet për lidhjet e forta dhe është unik në gjetjen e skuadrave të reja për një futbollist.

Napoli mund të heqë dorë nga shërbimet e Insinjes për të paktën 100 milionë euro, ndërsa Lozano i PSV pritet të jetë pasardhësi i tij. Rajola mund të lehtësojë këto tratativa, pasi është agjenti i meksikanit të ekipit holandez.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *