Iljadhi: E çuditshme rënia e Flamurtarit, besoj te Kupa

Ish-lojtari i skuadrës vlonjate dhe Kombëtares, Roland Iljadhi, pohon se lojtarët po gabojnë shumë dhe po luajnë pa dëshirë në ndeshjet e fundit

Elton Nika

Nga vendi i dytë dhe skuadra anti-Skënderbeu, tek ethet e mbijetesës në Superiore. Ndryshim drastik i situatës te Flamurtari pas fazës së tretë dhe humbjes së fundit në Vlorë, që e mban skuadrën trajnerit Shpëtim Duro në pozita delikate në kampionat. Shpëtimi mund të jetë vetëm fitimi i Kupës së Shqipërisë, por gjithsesi, kjo paraqitje e javëve të fundit me humbja të njëpasnjëshme, nuk ka asnjë justifikim. Flamurtari i ka komplikuar shumë pozitivat, pavarësisht kalendarit të favorshëm që ka në vazhdim. Humbja me Skënderbeun ka sjellë zhgënjim të madh në Vlorë dhe ish-lojtari i Flamurtarit dhe Kombëtares, Roland Iljadhi, ka kritika për ekipin.

– Iljadhi, si e shihni gjendjen e Flamurtarit, që vjen nga një seri humbjesh?

– Në fakt, humbjen ndaj Skënderbeut nuk e prisnim aspak, por më shumë nuk prisnim atë lojë. Një humbje mjaft e rëndë, pavarësisht se luhej ndaj një kundërshtari, që për mua mbetet skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar. Lojtarët ishin të paqartë në lojën e tyre, pa dëshirë dhe pa grintë gjatë gjithë 90-minutëshit, duke ia bërë më të lehtë punën Skënderbeut. Një humbje e tillë nuk pritej dhe natyrisht që tifozët ndihen të pakënaqur nga skuadra.

– Çfarë ndodhi, sipas jush?

– Nuk di ta shpjegoj pse skuadra ishte në atë nivel. Futbollistët, siç e thashë, nuk kishin fare dëshirë dhe nuk treguan asgjë gjatë gjithë ndeshjes. Mbrojtja dhe mesfusha bënë gabime të shumta. Pastaj, edhe golat e shënuar në minutat e para ia lehtësuan gjithçka Skënderbeut. Ndonjë gol nga ata të tre nuk më pëlqeu për mënyrën si u pësua. Nuk dua të shfaq dyshime, por golat pësoheshin shumë lehtë. Është një ndeshje për t’u harruar plotësisht.

– Çfarë po ndodh me Flamurtarin, që tani rrezikon edhe mbijetesën?

– Nuk e kuptojmë, sinqerisht. Kjo skuadër zhvilloi dy faza mjaft të mira, ishte anti-Skënderbeu, madje mund të sulmonte edhe vendin e parë. Më pas, një fazë e tretë shumë e dobët, për t’u harruar plotësisht. Nuk e di, nëse lojtarët kanë probleme brenda në grup, gjë që nuk e besoj, pasi presidenti është treguar mjaft korrekt. Megjithatë, skuadra ka probleme në lojë dhe një rënie vërtet të çuditshme.  

– Janë edhe tetë ndeshje në kampionat dhe gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë. Çfarë parashikoni?

– Fitorja 1-0 në Korçë është një hap shumë i rëndësishëm, por asgjë nuk është mbyllur. Duhet që Flamurtari ta administrojë mirë atë rezultat. Skënderbeu fitoi në kampionat dhe mund ta bëjë diçka të tillë edhe në ndeshjen e kthimit në kupë, por besoj se Flamurtari do të shkojë në finale dhe është i favorizuar për ta fituar Kupën e Shqipërisë. Flamurtari është ekspert në këtë kompeticion dhe besoj maksimalisht. Për kampionatin mendoj se kalendari është një avantazh dhe thjesht skuadra duhet të fitojë besimin.

– Skënderbeu i dënuar nga UEFA, por po fiton titullin dhe vazhdon ende në kupë…

Personalisht, jam kundër këtij dënimi. Skënderbeu mbetet ekipi më i mirë i kampionatit shqiptar dhe do të më vinte keq për dënimin. Megjithatë, i takon Skënderbeut ta zgjidhë. E vlerësoj atë klub për çfarë ka bërë deri tani në futbollin shqiptar.

– Si e shikoni fundin e këtij kampionati?

– Çështja e titullit është e mbyllur, nuk ka diskutim për Skënderbeun. Kukësi po ecën mirë, por do të jetë në luftë me Partizanin, që është ringritur shumë. Pastaj, në garë për Europën janë edhe Laçi dhe Luftëtari, ndërsa Flamurtarin vetëm nga Kupa e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *