Ilir Meta: Triumf i sportit mbi politikën!

0

Kreu i Kuventit krahason vendimin e KAS me emocionet e golit të Kushtës, 30 vjet më parë në Beograd dhe shton: “Dua të uroj gjithë shqiptarët kudo ku janë, sepse të gjithë ndihen të lumtur, të lehtësuar, të gëzuar, jo thjesht për tre pikët”

Ka qenë gjithmonë në vijën e parë të frontit sa herë është folur për Kombëtaren dhe për të mbrojtur interesat e saj sportive dhe futbollistike. Ilir Meta, një tifoz i zjarrtë i Kombëtares, menjëherë ka reaguar përpara medieve. Kreu i Kuventit ka përshëndetur kuqezinjtë, duke e quajtur vendimin e KAS-it si një triumf i sportit mbi politikën. Sipas tij, drejtësia u vu në vend. “Sigurisht që sot (dje) dukej sikur do të ishte një ditë rutinë, besoj se edhe shumë prej jush kanë patur atë ndjesinë që edhe unë pata, sikur papritur ishim në stadium dhe pamë të tundet rrjeta si përpara 30 vitesh kur Sokol Kushta ngriti gjithë shqiptarët kudo që ishin në këmbë nga kënaqësia. Dhe padyshim që ky vendim jo vetëm që na jep një gëzim të jashtëzakonshëm, por në radhë të parë na lehtëson nga dhimbja që shkakton padrejtësia, e vetmja gjë që shkakton edhe politika dhe urrejtja kur ndërhyn në sport, ndërhyn në futboll, ndërhyn në fushën e futbollit, ashtu sikurse ndodhi në ndeshjen në Beograd të Kombëtares sonë”, thekson kryeparlamentari Ilir Meta në daljen e tij para mediave.

Urimi – Më tej ish-Kryeministri i vendit shton: “Sigurisht me këtë rast unë do të doja të uroja gjithë ekipin tonë Kombëtar. Presidentit të FSHF-së, Duka ia kam bërë këtë urim më parë. Dua të uroj gjithë shqiptarët kudo ku janë, sepse të gjithë ndihen të lumtur, të lehtësuar, të gëzuar, jo thjesht për tre pikët, por në radhë të parë për vendosjen e drejtësisë për triumfin e sportit mbi politikën dhe urrejtjen që ajo shpesh përçon në vendet tona dhe në rajonin tonë. Dhe natyrisht që do të doja të uroja në mënyrë të veçantë familjarët e futbollistëve tanë, sepse të gjithë kanë përjetuar me shqetësime e dhimbje provokimin e dhunën ndaj tyre, sikurse të ishin pjesëtarë të familjes së çdo shqiptari, por absolutisht jam i bindur se familjarët e tyre kanë fituar edhe më shumë. Padyshim, trajnerin tonë shqiptaro-italianin De Biazi, i cili besoj se ndihet edhe më shqiptar pas këtyre tre pikëve të fituara dhe një urim të veçantë e kam për Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilën një pjesë e jona edhe mund ta kenë paragjykuar, këtu kam parasysh edhe një pjesë të medias, që me shumë qetësi, me shumë këmbëngulje, me shumë vendosmëri dhe me shumë profesionalizëm, nuk humbi asnjëherë besimin te drejtësia, pavarësisht nga vendimi i padrejtë më parë që u mor dhe arriti të çojë provat e duhura të domosdoshme për të dhënë një shembull të shkëlqyer, ku merr fund ai oportunizmi absurd dhe ku fiton drejtësia në sport dhe ku fiton sporti mbi politikën dhe mbi urrejtjen”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image