Ilir Daja: Short i lehtë, shpërblim për ecurinë e klubit vitet e fundit

Trajneri i Skënderbeut flet për kundërshtarin modest dhe thekson se të tijtë duhet të jenë seriozë, pavarësisht se pranon diferencat e mëdha

Leonard Trebicka

“Nuk mund ta fsheh se jam i kënaqur nga shorti i Europa League, që është mjaft i mirë për ne. Dorë të madhe për të pasur një kundërshtar të lehtë na ka dhënë koeficienti ynë, duke qenë në vazon e parë. Ky koeficient na favorizon edhe në turin e dytë”, – ka theksuar mes të tjerash në intervistën e djeshme trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ai ka nxitur të sigurojë sa më parë të dhënat e nevojshme për kundërshtarin, pavarësisht se pranon që duhet të mendojë më shumë për turin e dytë. Nga Sllovenia, ku Skënderbeu po stërvitet, trajneri Daja dha këtë intervistë:

– Daja, a e keni ndjekur “live” shortin e Europa League?

– Po. Jemi duke zhvilluar fazën përgatitore në Slloveni dhe në momentin e shortit ishim pushim. E kam ndjekur me kureshtje të madhe, bashkë me stafin tim, kurse lojtarët e ndoqën në mënyrë individuale.

– Sant Julia, një emër i lehtë për Skënderbeun, apo jo?

– (Qesh) Në fakt kështu duket. Kemi përballë ekipin nënkampion të Andorrës dhe nuk mund ta fsheh se jam i kënaqur nga shorti. Ka qenë një short vërtet i mirë për ne.

– E prisnit një kundërshtar kaq të lehtë, të paktën në letër?

– Dorë të madhe për të pasur përballë një kundërshtar të lehtë na ka dhënë koeficienti që kishim, duke u renditur në vazon e parë. Ky koeficient na favorizon edhe në turin e dytë. E gjithë kjo vjen falë punës së bërë nga klubi dhe ekipit në vitet e fundit. Skënderbeu ka bërë një përfaqësim dinjitoz në sezonet e kaluara në Europë dhe kjo bëri që të kemi përballë një ekip nga Andora, ndryshe nga skuadrat e tjera shqiptare, që ishin në vazon e dytë.

– Sa e njeh Daja skuadrën nga Andorra, Sant Julian?

– Kundërshtarin nuk e njoh, e them sinqerisht, pa fshehur asgjë. Kemi kohën e duhur ta studiojmë dhe të shikojmë me imtësi cila është loja e këtij ekipi. Kam kërkuar menjëherë pas shortit kasetat e ndeshjeve të këtij ekipi dhe klubi besoj se do t’i sigurojë sa më parë. Dua të them se, pavarësisht inferioritetit të kundërshtarit në emër dhe në koeficient, duhet të marrim informacionet e duhura dhe ta përgatisim sa më mirë ndeshjen. Nuk e nënvlerësojmë aspak Sant Julian.

– Meqenëse turi i parë është i lehtë, në të dytin do të luani me kazakët e Kairat apo lituanezët e Atlantas…

– Janë dy ekipe, që edhe për ta nuk kemi shumë informacion, por do të përpiqemi që tani të marrim të dhëna të mjaftueshme për të krijuar një ide të qartë për sa i përket mënyrës së lojës dhe aftësive të tyre. Mos kujtoni se në turin e dytë do ta kemi të lehtë. Duhet shumë djersë dhe mund. Ndeshjet ikin me shpejtësi dhe duhet të mendojmë për të ardhmen, pasi kemi një ekip, që kërkon të shkojë sa më larg të jetë e mundur.

– Skënderbeu ndeshjen e parë e luan në Korçë dhe të kthimit në Andorrë. Sa ndikon ky fakt?

– Duhet ta mbyllim kualifikimin në Korçë. Nëse zhvillojmë një lojë të mirë që në 90 minutat e para, do ta mbyllim këtë çështje dhe do të jemi të qetë në takimin e kthimit. Në fund të fundit, futboll luajnë edhe kundërshtarët tanë. Do të kërkoj nga ekipi, që llogaritë t’i mbyllim në Korçë.

– Së fundi, për sa i përket merkatos dhe përgatitjeve, keni gjë për të thënë?

– Kemi edhe pak ditë deri për të mbyllur përgatitjet këtu në Slloveni dhe mund të them se vetëm ditët e fundit skuadra është mbushur. Na duhet patjetër një sulmues, por sot (dje) që flasim nuk është se kemi ndonjë gjë të re. Ndoshta ditët në vazhdim do ta kemi edhe një sulmues. Ekipi është rritur fizikisht nga dita në ditë dhe kjo më kënaq shumë. Kam planifikuar që më 29 qershor lojtarët të jenë në 100% të formës së tyre. E përgjithshmja është pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *