Ilir Daja del hapur: Heq dorë nga modestia, dua të drejtoj Kombëtaren e Shqipërisë

Sa e sa njerëz dhe tifozë të futbollit e kanë thënë: “Ilir Daja të drejtojë Kombëtaren e Shqipërisë”. Nëse kuqezinjtë do të kenë një ditë në drejtim trajner shqiptar, atëherë padyshim që trajneri aktual i Skënderbeut është në radhën e parë.

Jo vetëm që ka dalë me sukses kudo që ka shkuar, por i ka marrë më të mirën ekipeve dhe mbi të gjitha: “Loja e bukur”. Rrallëherë ndodhë që ekipi kundërshtar të mbajë topin më tepër sesa skuadra e Ilir Dajës.

E për të vazhduar idenë, Skënderbeu ndodhet në vendin e parë, pavarësisht të gjitha dyshimeve që kishin sa i përket motivimit pas largimit nga Europa. Në një intervistë të gjatë për “Ora News”, Daja ka dalë hapur dhe ka treguar dëshirën për të drejtuar Kombëtaren:

“Sigurisht që nëse do të ishte në një pozicionim tjetër Skënderbeu, pra nëse do të ishte prezent edhe Europa do të ishte akoma dhe më i lehtë motivimi i grupit, por që edhe në këtë vit, në kompeticionet europiane, në kualifikueset të kompeticioneve europiane, futbolli shqiptar nuk bëri ndonjë paraqitje dinjitoze. Skuadrat shqiptare e dijnë se duhen 1 ose 2 ndeshje, pasi Skënderbeu nuk është i atyre niveleve të viteve të fundit. Duke pasur edhe ndërhyrjen e brezave brenda ekipeve, duhet të motivohen pasi përfaqësojnë një fanellë të rëndë. Secili lojtar ka kreditet e tij, pasi futbolli nuk luhet për një ose dy vjet. Jemi të gatshëm për të motivuar skuadrën, pasi rezultatet do të jenë të mira qoftë për qytetin, tifozët dhe lojtarët. Pasi siç dihet motivimi i grupit të brendshëm është më i mirë se sa ai që mund të quhet motivim i jashtëm.”

I kisha dhënë fjalën Korçës për atë periudhë të bukur që kaluam së bashku. Nuk ishte vetëm kalimi në grupet e Europa League, por paralelisht fitimi i kampionatit dhe i Kupës. Erdhi momenti dhe në këtë situatë të vështirë që po kalon Skënderbeu duhej të isha edhe unë prezent me ta, për të ndihmuar futbollin në këtë qytet që të jetojë, ndoshta jo në atë cikël kaq të lavdishëm por të jetë aty”

Në fakt shumë persona më thonë se je shumë teorik. Sigurisht që unë i jap përparësi shumë elementit teorik, por që rezultatet arrihen praktikisht në fushë. Ajo që quhet pjesë e kohezionit të ekipit, ajo që quhet fryma e skuadrës apo shpirti i skuadrës sigurisht që arrihet duke e lexuar lojën në një këndvështrim sepse kështu rritet edhe forca e grupit, ajo që ne e quajmë kohezion dhe seancat e teorisë janë gjërat më të mira për të parë edhe praktikisht edhe teorikisht se si duhet ta lexojmë pjesën e lojës si në fazën e mbrojtjes dhe në fazën e sulmit. Nuk është se janë teori me komunikime verbale, më shumë pjesa e teorisë përdoret me video. Edhe lojtarët nëse lodhen me pjesën e komunikimit verbal, por që ta marrim më të qartë kur shikojnë veprimet e tyre apo edhe të kundërshtarëve, duke i trajtuar këto si teori dhe që është një pjesë e fortë e punës sime.”

Ëndrra e çdo trajneri më e madhe është që një ditë të drejtoj edhe Kombëtaren e vendit të vet. Duke hequr dorë nga modestia jam i gatshëm për ta bërë një gjë të tillë nga ana profesionale, por që ky vendim është vendim i drejtuesve të Federatës. Kanë bërë një zgjedhje të mirë në këto vitet e fundit, sepse kanë marrë trajner nga një shkollë që është mjaft e mirë në nivel ndërkombëtar siç është ajo italiane”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/