Idrizi takim me skuadrën: Të m’i thonë lojtarët arsyet e krizës

Administratori i klubit vlonjat ka kërkuar sot një mbledhje me lojtarët: Do të diskutojmë për këtë situatë. Nuk e di pse ndodh, kur asnjëherë skemi vënë në presion

Elton Nika

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e ka marrë me shumë qetësi situatën dhe ka menduar që të zhvillojë një takim me skuadrën. Humbja e fundit me Skënderbeun, mjaft e rëndë në rezultat, 0-3, brenda në Vlorë, është e fundit e një serie të gjatë disfatash në kampionat.
Pas asaj ndeshjeje, kreu i klubit vlonjat u largua nga stadiumi pa thënë asnjë fjalë, ndërkohë që ka menduar që të organizojë një takim me të tijtë, duke dashur të dëgjojë nga afër se çfarë probleme kanë atë që nuk po arrijnë të fitojnë prej 8 javësh. “Do të mbledh ekipin, – ka thënë për Sport Ekspres” administratori Sinan Idrizi. – Prisja që lojtarët të reagonin, por në këto kushte, pas humbjes së fundit, jam i detyruar t’i takoj nga afër personalisht. Do të diskutojmë çfarë ka që nuk shkon dhe pse ka ardhur kjo situatë. Ne si klub jemi në rregull dhe mjaft korrektë në pjesën tonë. Ndaj Skënderbeut nuk pamë Flamurtarin, nuk pamë skuadrën që dëshirojmë të shikojmë. Tani dua të dëgjoj nga lojtarët pse ata nuk arrijnë të fitojnë prej shumë javësh. Klubi dhe drejtuesit e tij nuk e ka vënë asnjëherë në presion skuadrën. Kemi kërkuar gjithmonë vetëm respektimin e fanellës dhe asgjë më shumë se kaq. Këtë e kemi përsëritur gjithmonë, por të hënën në fushë ishte një Flamurtar me shumë probleme. Nuk është asnjëherë turp të mundesh nga Skënderbeu, apo të humbasësh një takim me cilëndo skuadër, por jo në të tilla kushte, jo të mos tregosh asgjë si Flamurtar. Kjo është arsyeja që kemi vendosur t’i takojmë lojtarët nesër (sot) dhe të diskutojmë me ta. Menduam se reagimi erdhi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në Korçë, ku fituam 0-1, por në kampionat ndodhi ndryshe. Kaq mund të them për momentin, le t’i dëgjojmë lojtarët dhe të diskutojmë së bashku. Ne jemi një klub për një qëllim, ndaj dhe jam unë ai që do t’i mbledh të diskutoj. Nuk kam vënë asnjëherë objektiva për të mos krijuar presion në skuadër, por dua të di tani pse nuk po ecim si duhet dhe pse kjo situatë”, – ka përfunduar administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

MASA? Në situatën aktuale, drejtuesit e klubit vlonjat kanë çdo të drejtë të marrin masa për lojtarët, jo sepse Flamurtari ka dalë nga objektivi, por sepse paraqitja e tij në fushë lë për të dëshiruar, sidomos në ndeshjen e fundit. Skuadra ishte krejtësisht e zhbalancuar dhe dhuroi asnjë emocion për tifozët që kishin mbushur stadiumin. Administratori Idrizi nuk ka përmendur dje asnjëherë masat ndëshkuese, por kjo nuk do të thotë se përjashtohet mundësia për ndonjë gjobë ndaj lojtarëve. I vetmi fakt që mund ta frenojë kreun e klubit kuqezi është se në këtë moment mund të ndikojë për keq në anën psikologjike. Flamurtari ka shumë shanse për të shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi fitorja në Korçë, pa pësuar gol, e favorizon shumë. Ndoshta drejtuesit e klubit do të presin dhe nuk do të nxitohen në marrjen e masave për skuadrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *