Idrizi: Nuk ka asnjë presion për Flamurtarin

Administratori i klubit vlonjat nuk shpall një objektiv konkret, por pret një skuadër serioze dhe kompetitive: Lojtarë që kërkojnë paga? Le t’i drejtohen gjyqit… 

Elton Nika

Në Vlorë e presin nisjen e kampionatit me mjaft kërshëri, sepse  synohet që ky të jetë viti i duhur për Flamurtarin. Sezoni i kaluar ka pasur problematika nga më të ndryshmet, që kanë ndikuar në ecurinë e ekipit, por tani të gjithë në kampin kuqezi janë të bindur për të hapur një faqe të re në historinë e Flamurtarit. Skuadra duhet të kapë minimalisht një vend në Kupat e Europës.

IDRIZI – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, edhe këtë verë ka investuar shumë për ekipin, si gjithmonë, por sërish ai nuk vë objektiva dhe nuk i vë nën presion stafin teknik dhe futbollistët. “Nuk ka asnjë presion ndaj skuadrës, — thekson Idrizi për “Sport Ekspres”, – por besojmë se ka ardhur momenti i duhur për të parë një Flamurtar ai që presim të gjithë. Trajneri Shpëtim Duro ka pasur dorë të lirë për të vepruar në merkato dhe  mendoj se kemi një skuadër cilësore, me lojtarë që do të na dhurojnë kënaqësi. Para së gjithash, siç e kam shprehur më parë, rëndësi ka ta duan fanellën për të cilën luajnë. Faza përgatitore, me sa jam informuar, ka shkuar mjaft mirë. Eshtë punuar në Mavrovë dhe më pas edhe në Greqi, ndërsa tani i takon skuadrës të flasë në fushë. Nuk i kemi vënë asnjë kusht apo të deklarojmë objektiva, pa e vënë në presion skuadrën apo lojtarët, por natyrisht që presim shumë nga ata. Dua thjesht të bëjmë një kampionat sa më cilësor dhe të jemi aty, mes skuadrave të kreut, pastaj Europa apo diçka tjetër, arrihet vetëm në fushë. Ne besojmë të gjithë te kjo skuadër, besojmë shumë se gjërat këtë vit do të jenë shumë ndryshe. Nuk ka presion, e rithekson, qëllimi është që të kënaqim tifozët, të cilët i ftojmë në stadium”.

PADITË E TJERA – I pyetur në lidhje me paditë e reja në FIFA nga ish-lojtarët kosovarë të Flamurtarit sezonin e fundit, siç janë Shkodra, Berisha dhe Fasliu, administratori Idrizi përgjigjet shumë shkurt: “Lojtarë që kërkojnë pagat? Le t’i drejtohen gjyqit, kaq mund të them”. Nuk dihet çfarë do të ndodhë në vazhdim, por këto çështje të hapura mund t’i prishin punë Flamurtarit, siç ka ndodhur sezonet e fundit. E mira është, që situata të jetë e qartë para nisjes së kampionatit dhe të merren masat e nevojshme, në mënyrë që ekipit vlonjat të mos i hiqen pikë nga klasifikimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *