Idrizi: Kam shumë besim te Flamurtari. FSHF u tall me ndryshimet në rregullore

0

Kreu i klubit vlonjat ka folur në “Rubrikën Sportive” në RTSH për disa çështje të rëndësishme të klubit të tij dhe futbollit shqiptar: Ka informalitet në futbollin tonë, duhen zgjedhje të lira!

Elton Nika

Flamurtari e ka nisur me humbje kampionatin. Në fushën e Skënderbeut, ashtu si dhe një vit më parë, nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket edhe rezultatit, teksa vlonjatët janë kthyer me dy gola të pësuar nga transferta me Skënderbeun. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një pjesë të parë të mirë, duke pasur mundësinë të barazonin, ndërsa në pjesën e dytë kanë humbur disi në lojën e tyre.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka qenë i pranishëm në stadiumin e qytetit të Korçës, ku ka ndjekur nga afër skuadrën. Ai u shpreh i kënaqur nga pjesa e parë, ndërkohë që në një lidhje direkte nga Vlora për RTSH, dje në mbrëmje ai ka folur për nisjen e kampionatit, por më shumë për ndryshimet e bëra nga FSHF-ja në rregullore, që i cilëson një tallje, si dhe për konkurrencën për kreun e FSHF-së e disa çështje ligjore: “Së pari, ishte më tepër se e ekzagjeruar shtyrja e kampionatit për më 9 shtator. Heqja e pikëve për Flamurtarin? Eshtë pyetje për Komisionin e Disiplinës dhe jo për mua. A ka çështje me FSHF-në? Kemi një situatë, që po zhvillojmë me federatën dhe jashtë strukturave të saj, vetëm kaq për momentin. Për ndryshimet që ka bërë federata, pra për kartonët e verdhë apo diçka tjetër, do të thosha se janë si ato karamelet që u jepen fëmijëve për festa. Ne kemi kërkuar gjëra të tjera, shtimin e numrit të lojtarëve të huaj e të tjera. Vendimet e FSHF-së janë një tallje e hapur me klubet shqiptare dhe asgjë më shumë. I kam sugjeruar miqësisht presidentit të FSHF-së që të ketë zgjedhje të lira, si në kapitalizëm, por nuk mendoj se do të ketë të tilla. Në futbollin shqiptar ka informalitet, e kam thënë gjithmonë. Beteja ime ligjore me Federatën Shqiptare të Futbollit nis së shpejti dhe nuk ka vetëm dosjen e heqjes së pikëve apo të ndonjë borxhi të mbartur. Në luftën time do të jem gjithmonë ai që kam qenë”, – theksoi mes të tjerash administratori Idrizi.  

OBJEKTIVAT – Ndryshe nga klubet e tjera të Superiores, te Flamurtari nuk ka një objektiv konkret. Për këtë çështje Idrizi  ka thënë: “Duhet vetëm që të respektohet fanella e Flamurtarit. Nuk jam specialist që të analizoj lojën e ekipit, pyesni trajnerin Duro për këtë çështje. Nuk kemi objektiva tani, nuk ka pasur asnjëherë në drejtimin tim, por do të vijnë më vonë, javë pas jave. Nuk ka vlonjatë në formacion? Atëherë i bie që Partizani të ketë vetëm debatikas apo guerrilsa. Pas viteve ’90 secili mund të japë kontributin e tij dhe kaq. Histori me djemtë e tij apo të atij nuk ka. Nëse ju e shihni çështjen në baza etnike, krahinore apo fetare, atëherë jemi në kundërshtim. Mendoj se Flamurtari do të jetë mes skuadrave më të mira në fund të kampionatit”.

KORÇA – Pas ndeshjes me Skënderbeun Idrizi është dukur disi i mërzitur, por nuk është shprehur shumë për humbjen në Korçë. “Ishte vetëm ndeshja e parë. Skuadra do të vijë drejt rritjes, por pa dyshim që të gjithë donim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Gjithsesi, jemi vetëm në fillim, të shohim. Besojmë të gjithë te kjo skuadër. Kampionati është i gjatë dhe ka mjaft rrugë përpara për të tjera ndeshje”, – ka theksuar numri një i klubit vlonjat. Fjalët e Idrizit kanë qenë të pakta, por natyrisht që kreu i klubit vlonjat priste një rezultat ndryshe në Korçë. Tani duhet parë përpara, pasi mënyra si luajti Flamurtari në pjesën e parë tregon se skuadra ka cilësi dhe mundësi për më shumë në ndeshjet në vijim.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here