Idrizi: Ka më të mirë? E hap krahun direkt! Kam shpenzuar 11 milionë €!

Sinan Idrizi është nga ata që flet hapur. Nuk e ka për gjë të pranojë se te Flamurtari ka vonesa pagash dhe sipas tij e gjitha vjen për shkak të sistemit. Administratori i klubit vlonjat madje është i gatshëm të hapë krahun nëse dikush tjetër në Vlorë është në gjendje të bëjë më mirë se ai.

PAGAT – “Është krejt normale, kush tha që nuk është folur?! Ka katër-pesë muaj që flitet për problemet e pagave.  Unë e kam thënë dhe e them përsëris, Flamurtari është i vetmi ekip në Shqipëri,  në këto pesë vjet që jam unë, që ka probleme pagash. Asnjë ekip tjetër nuk ka, i vetmi ekip jo funksional jemi ne. Të gjithë të tjerët janë të lulëzuar, kanë një ekonomi. Thirrja ime është e thjeshtë fare. Nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë këtu në Vlorë, nuk flas për kafexhinjtë e kafeneve apo këta që shtyjnë ditën këtu në “Lungomare”, të vijnë dhe të vazhdojnë punën, unë e dorëzoj që sot”.

SISTEMI – Shpenzimet janë të shumta në një klub futbolli dhe Idrizi tregon se deri më tani ka shpenzuar rreth 11 milionë euro. Ai i mëshon idesë së tij që në vendin tonë duhet ndërtuar sa më shpejt ekonomia e futbollit. Nuk mungojnë as thumbimet dhe në shënjestër ka përfunduar sërish ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.

“Përsëris, nëse nuk ndërtoni një ekonomi futbolli që të jetë korrekt me listpagesat, atëherë pyetjes tënde ironike unë nuk i përgjigjem dot më me ironi. Të ndërtohet njëherë ekonomia e futbollit, të kalohen në skaner si mbahen klubet shqiptare, nga financohen, nga vijnë të ardhurat, dhe pastaj flisni për korrektësinë në listëpagesa. Është një gjë që nuk funksionon, nuk funksionon TVSH-ja, nuk funksionon tatimi mbi pagën, nuk funksionon asnjë gjë”.

“Nëse unë kam probleme me zyrën e tatimeve, për të paguar këtë shumë të madhe që paguaj, pra 1.6 miliard, nëse unë nuk paguaj tatimet, duhet të kem pare shtesë për këtë dhe për këtë. Kërkoni sistemin, kërkoni si funksionon ky sistem, a ka një futboll shqiptar që ecën në shinat e kapitalizmit apo jo? Kur pata thënë se kjo është një ekonomi, një fabrikë, një pjesë e mirë e ish-futbollistëve që tani janë bërë komentatorë studiosh, fillonin historitë, “Sinani e kupton futbollin si një fabrikë”.

“Futbolli është një fabrikë mor zotëri. Është një fabrikë që ka bilance, ka hyrje, ka dalje. E përsëris, jemi në vitin e pestë dhe kam bilancet e mia ku janë paguar 10.870.000 euro. Të paktën faleminderit nuk thonë. Dalin këto historitë e këmbëve të gjata dhe thonë që janë vonuar pagat. Po pagat janë vonuar dhe do të vonohen sa të jetë ky sistem. Nëse sistemi nuk hyn në linjë, lojtarët nuk kanë pse të më presin mua, transferta, erdhi, s’erdhi e kjo histori!”.

“Pasaj kemi dhe këto ironitë e zevzekëve të “Facebook”. A është dikush ta bëjë më mirë pa vjedhur pronat publike të Vlorës?! Unë nuk kam Flamurtar që e financoj duke vjedhur pronat publike. Unë nuk financoj duke mbajtur nën hije bilancet e mija, por që ka vonesa në pagesa, ka mor ka!”.

NDESHJA ME KASTRIOTIN – “E kam thënë dhe  më parë, ky është Flamurtar “Leninist”: dy hapa para, një hap mbrapa. Në një fushë të rënduar si ajo në Fushë-Krujë nuk mund të pritej më shumë se kaq. Ishte një ndeshje, ku ndoshta mund të kishim bërë diçka më shumë. u luajt pjesërisht futboll. Kruja nuk kishte ekip të keq, po ta vije re erdhën në portën tonë tre-katër herë. Në atë fushë, në ato kushte ishte e vështirë të flisje për futboll bio. Nuk bëhej fjalë për një futboll bio dhe nuk kam çfarë kërkoj më tepër nga ekipi. Unë them se ky ekip, kam idenë, se duhet të vazhdojë të eci më lartë në kuptimin e seriozitetit në fushë. Kam një ekip komod, kemi marrëdhënie korrekte”, është shprehur Idrizi për mediat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *