Idrizi, i palëkundur: Largojmë dhunën verbale nga stadiumi!

0

Administratori i Flamurtarit tregon planin për tifozët ndaj Vllaznisë, ndërkohë që ka shumë për të thënë për çështjen Gjoka dhe për trajtimin që i ka bërë Federata

Elton Nika

Rikthehen tifozët në Vlorë. Pas mungesës në ndeshjen e luajtur në Vlorë me Teutën, për shkak të dënimit që kishte dhënë Disiplina pas ndeshjes me Skënderbeun, tashmë ka një tjetër mënyrë organizimi. Për tribunën qendrore nuk do të ketë shitje të biletave, pasi do të jetë e hapur për nxënësit e shkollave dhe femrat, që do të hyjnë falas në stadium. Një zgjedhje tjetër e klubit vlonjat, e konfirmuar për “Sport Ekspres” edhe nga vetë administrator i klubit Sinan Idrizi. Ndërkohë, kreu i klubit vlonjat ka folur edhe për çështjen Gjoka, trajnerit aktual të Vllaznisë, që rikthehet në Vlorë këtë të shtunë.

“Nuk do të ketë në shitje bileta për tribunën qendrore, por do të jetë e hapur vetëm për gjimnazistët. Nuk fyej askënd kur them që këtë herë të paktën do të shikojmë të bëjmë diçka ndryshe. Nuk fyej njeri, në kuptimin që do të mbyllet tribuna për të tjerët, por për këtë rast do të tentojmë të shikojmë një formë tjetër. Do të jenë nxënës nga shkollat e mesme publike dhe jopublike të Vlorës, të viteve të treta dhe të dyta, që do të vendosen në tribunë, si edhe femra. Unë nuk kërkoj që stadiumi të jetë një skenë teatri, pasi është stadium, por në këtë farë mënyrë ne do të jemi më të civilizuar në tribuna të paktën. Duhet të krijojmë një bashkëpunim më thelbësor edhe tek detajet më të thjeshta, kjo edhe me grupimin ‘Flota Kuqezi’. Unë e kuptoj emocionin e të gjithëve, pasi jam vetë pjesë e emocioni, por të jemi më të limituar në atë që nuk duhet të jemi. Me kore e me këto, është një pjesë që Vlora e ka ezauruar tashmë, nuk është pjesë më e atij stadi dhe në të afërmen më të afërt do të ketë një standard tjetër, jo vetëm në futboll”, u shpreh numri një i klubit vlonjat.

ÇËSHTJA GJOKA

Flamurtari ka humbur gjyqin me ish-trajnerin Ernest Gjoka dhe administratori Idrizi i rikthehet sërish kësaj çështjeje. “Për rastin Gjoka do të kemi një çështje penale shembullore. Ministria e Financave për këtë heshtje na ka kthyer përgjigje zyrtarisht për atë që ne kemi kërkuar të interpretohet. Pjesa tjetër pastaj është që Gjoka ka qenë një trajner tek Flamurtari, ka ngritur një Kupë tek ne, më pas të tjerat nuk më interesojnë. Ne në gjykata penale do të kërkojmë ndëshkim penal, moral, material dhe çfarëdo lloj tjetër për atë që këta me vetëdije, kjo çetë, kjo bandë, ka ndërtuar në mënyrë të organizuar kundër Flamurtarit, në kurriz të ligjeve shqiptare. I gjithë grupi i këtyre që na kanë kërcënuar me heqje pikësh, me kërkesën për mosregjistrim të Flamurtarit, e të tjera si këto. Nuk do të ketë asnjë lloj mënyrë që të na ulë ritmin e denoncimit të ilegalitetit. Nga ndeshja me Vllazninë pres të luhet futboll. Respekt për Vllazninë, është një skuadër dhe një qytet që e do futbollin”, shprehet administrator I Flamurtarit Sinan Idrizi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image