Idrizi , ftesë zyrtare Dukës dhe Finos për të premten

Quajeni provokim, nëse dëshironi, pak rëndësi ka, por fakt është që Sinan Idrizi nuk e kishte thjesht për batutë kur tha para pak ditësh se do të ftonte në stadium Armand Dukën dhe Bashkim Finon, për të ndjekur ndeshjen e së premtes Flamurtari-Partizani.

Administratori i Flamurtarit sot ka dërguar një ftesë zyrtare për të dy kandidatët për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, për t’i pasur në stadium të premten.

Natyrisht, Fino do të jetë, sepse Idrizi është aleat i madh në garën zgjedhore, por nuk dihet nëse do të paraqitet Duka, i cili në Vlorë shihet si armik, me një mëri që e ka zanafillën në vitin 2011, kur Skënderbeu i rrëmbeu Flamurtarit një titull plot helm dhe politikë brenda, ndërkohë që FSHF nuk mundi të bënte asgjë për të frenuar trukimet e frikshme dhe presionet politike në prag të një viti zgjedhor.

Prej vitesh Duka nuk shkon më në stadiumin Flamurtari, ndaj prania e tij do të ishte një sinjal i rëndësishëm për të treguar se nuk ka asgjë me vlonjatët, por nga ana tjetër është e qartë që në stadium do të krijohej një atmosferë e rëndë dhe nuk do të mungonin ofendimet, që shpesh janë dëgjuar këtë sezon dhe që kanë çuar në disa dënime e mbyllje të stadiumit Flamurtari. Këtë gjë e di mirë edhe Sinan Idrizi, por me sa duket ai është i sigurt se Duka nuk do të pranojë të shkojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *