Idrizi: Fitore e bukur, por të mos flasim ende për Europë

Administratori i vlonjatëve, Sinan Idrizi, ka besim se skuadra është në gjendje të bëjë një sezon kompetitiv, por thekson se nuk ka asnjë presion mbi të…

Elton Nika

Humbja përballë Skënderbeut dhe fitore në Ballsh, në ndeshjen “shtëpiake” përballë Lushnjës. Vlonjatët kanë gjetur tri pikët e para në kampionat, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi, duke konsideruar edhe fitoren 2-0 përballë Dinamos në kupë. Qetësi tashmë te Flamurtari, që duhet padyshim të shohë përpara dhe të përgatisë ndeshjen e javës së tretë, që e ka me Teutën në transfertë.

IDRIZI – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është i kënaqur me skuadrën, pavarësisht se në javën e parë ajo humbi me Skënderbeun, por kjo është e pranueshme ndaj një kundërshtari të tillë dhe aq më shumë në fushën e tij. Kreu i klubit vlonjat beson plotësisht te ky Flamurtar.

“Skuadra e nisi me një humbje në Korçë kampionatin, por kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Kjo skuadër ka mundësi për më shumë se ajo që tregoi në javën e parë dhe natyrisht erdhi fitorja. Ka ende shumë ndeshje përpara, ky kampionat është shumë i gjatë dhe duhet të tregojmë qetësi. Presim shumë nga kjo skuadër, edhe pse nuk kemi vënë një objektiv. E kemi theksuar se gjithmonë duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje, të mendojmë për takimin e radhës dhe asgjë më shumë se kaq.

“Flamurtari ka pasur shumë ndryshime gjatë kësaj periudhe dhe të largojmë atë që thuhet “vlonjatë dhe jo vlonjatë”. Të gjithë janë vlonjatë, sepse kanë veshur fanellën kuqezi. Duhet të shohim përpara si skuadër, si klub, duke u dhënë mbështetje të gjithëve”.

Kupat e Europës? “Është ende shpejt për të folur për diçka të tillë, por natyrisht që të gjithëve do të na pëlqente kjo gjë. E përsëris, nuk vëmë objektiva dhe nuk duam të krijojmë presion në skuadër. Eshtë ajo që thashë më lart, të shohim javë pas jave dhe ndeshje pas ndeshje. Trajneri Duro e njeh mjaft mirë këtë skuadër dhe natyrisht di të marrë maksimumin nga lojtarët. Eshtë një skuadër e krijuar këtë verë, kur janë afruar lojtarë cilësorë. U kemi dhënë mundësinë edhe shumë lojtarëve të ardhur nga akademia për të marrë minutat e tyre, kjo është diçka pozitive. Kemi marrë një fitore të rëndësishme në javën e dytë, ndërkohë që për shkak të problemit të fushës nuk kemi luajtur në Vlorë. Skuadra do të rikthehet shumë shpejt të luajë në Vlorë. Jemi gjithmonë në mbështetje të skuadrës dhe kështu do të jetë gjatë gjithë kohës, duke pritur një sezon sa më cilësor, e ritheksoj pa asnjë presion. Tani e rëndësishme mbetet që lojtarët të mendojnë vetëm për fushën e lojës dhe asgjë më shumë se kaq”, – ka deklaruar për “Sport Ekspres” administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *