Idrizi: Duro refuzoi lojtarët e shtrenjtë, tani kemi lider

Kreu i klubit vlonjat zbulon: Do të hapim çështje penale ndaj Gjokës, avokatit të tij dhe anëtarëve të DHZK-së, Dukës si intereson Flamurtari

Elton Nika

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, gjithmonë ka qenë i drejpërdrejtë në atë çfarë deklaron. Tashmë po shijon skuadrën më të mirë prej momentit që ndodhet në krye të Flamurtarit. Kreu i klubit kuqezi ka folur gjerësisht për Flamurtarin e këtij sezoni, punën e trajnerit Duro, marrëdhëniet me FSHF-së, Kupat e Europës, privatizimin dhe krijimin e ekipit B.

EKIPI-DURO – “Kemi ekipin më luftarak që kam parë gjatë kohës që jam te Flamurtari. Respektohet fanella nga futbollistët që nuk janë vlonjatë, por janë më vlonjatë se vlonjatët. Duro ka autoritet dhe qytetari klasike, do të bëjmë hapa cilësorë përpara në të ardhmen. Ka qene e gjitha strategjia e tij për këtë sezon, që nga faza përgatitore e deri te ndërtimi i skuadrës, pra afrimet në merkato. Faza me dy pjesë, Greqi dhe Maqedoni, ishte zgjedhje e trajnerit dhe tregon se ka pasur plotësisht të drejtë. Edhe në merkato trajneri ka pasur dorë të lirë për të formuar skuadrën sipas asaj që mendonte vetë. Duro nuk ka dëshirë të merret me “gjeneralë, ka nevojë për ushtarë”. I kam thënë për disa lojtarë më të shtrenjtë në verë, por ai nuk ka pranuar. Ka qenë i kufizuar në anën financiare. Ishte një lojtar shumë cilësor që mund të vinte, i cili do të bënte diferencën në kampionatin shqiptar, por Duro nuk e pranoi për të mos prishur balancat, – thekson Idrizi.

LIDERI-VLONJATËT Mungesa më e madhe e Flamurtarit ka qenë lideri në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Nuk ka pasur lider Flamurtari. Të gjithë ata që kanë pasur shiritin, kanë qenë kapiten për shirit, jo për ekip. Bushiç është një djalë profesionist, që i del për zot fanellës së tij. Edhe unë kam dëshirë t’i kemi vlonjatë lojtarët, po ku t’i gjejmë? Nëse ju cilësoni vlonjatë ata që qurraviten në dyert e FSHF-së për të dënuar Flamurtarin për 1 milion dhe 5 milionë, atëherë ndryshon puna. Ka pasur një ngjarje shumë fantasitike vjet. Padrejtësisht na janë hequr 6 pikë për luftën kundër ilegalitetit. Kemi pasur tre lojtarë vlonjatë, ku bën pjesë edhe ish-kapiteni Veliu, aktualisht në ekip, që shkuan dhe kërkuan heqjen e pikëve. Kemi pasur edhe një lojtar jo vlonjat, Vucaj i cili tha: nuk e çoj Flamurtarin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Sikur aksidentalisht rrugës të humbnim ndonjë ndeshje, sot do të ishim në Kategorinë e Parë”.

KONTRATAT Kam 4 vjet dhe nuk kam tërhequr asnjë lek nga FSHF-ja, që po përdoret për likuidimin e tyre. Pagesa e fundit është bërë më thanë dje (pardje), 26 mijë euro të zotit Gjoka, për një kontratë ilegale të tij. Para një jave na ka ardhur përgjigja nga Ministria e Financave, që na konfirmon atë që kemi thënë, pra që kontratat tona që janë bruto dhe duhet të ekzekutohem me 29.7% pranë Zyrave të Tatimeve. Ministria na konfirmon se pagat e Gjokës, Veliut dhe “tre muskëtierëve të tjerë janë konform ligjit dhe do të hapim një çështje penale kundrejt FSHF-së, Gjokës, avokatit të tij dhe anëtarëve të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Ata kanë ndërtuar me vetëdije një çetë grabitësish dhe një bandë gjobëvënësish”.

MARRËDHËNIA ME DUKËN Nuk fiton kurrë në bazë vlerash. Mund të jesh në pushtet derisa të të marrë zoti frymën e fundit, por nuk fiton gjë. Duka nuk shkon dot në stadium, pasi tifozët e shajnë nga A-ja te Zh-ja. Nuk ka një stadium të Shqipërisë, ku të shikojë një ndeshje. Mund të shikojë vetëm një ndeshje të Skënderbeut dhe kjo falë meritës së drejtuesve të atij klubi për rezultatet e mira, nuk shkon në asnjë stadium tjetër. E sfidoj atë të shkojë te Partizani, ku të dojë, në çfarë stadiumi dhe ndeshje të dojë. Sistemi i Flamurtarit atij nuk i hyn në punë. Ai nuk do të ndërtosh një fushë me fondet e tua. Ai do ta paracaktojë ai ndërtuesin kush do të jetë. Ne i prishëm sistemin zotërisë. Ai do kapitalizëm plus kontrabandë. Ky është një njeri që të bën gol. Sot (dje) një miku im nga Tirana më tha edhe planin e fundit të zotit Duka. Ai do të bëhet president i Kombëtares, pasi do të krijojë ligën. Të ndajë FSHF-në mënjanë dhe ligën mënjanë. Të marrë Kombëtaren, të shesë edhe fanella të ndërtojë ca këngë kuqezi e të bëjë ca biznese. Nëse Duka do të rikandidojë për FSHF-në, nuk do të jetë një FSHF me Superligë. Do ta heq Superligën, pasi nuk ka para. Para ka vetëm Kombëtarja”. PRIVATIZIMI Nëse nuk ka dritë jeshile për privatizimin, do të tërhiqem, pasi ka një limit. Kryeministri ka caktuar disa anëtarë të kabinetit të merren me Flamurtarin si një model. Do të ndërtojmë tre stacione të Flamurtarit. Do të jetë një model i lidhur me Vlorën. Pas disa kohësh, kemi një dritë të mirë në tunel. Kryebashkiaku Leli më tha se po përshpejtohen procedurat. Janë gjëra që nuk janë bërë ligjërisht dhe kam kërkuar privatizimin e asetit, por pa u tjetërsuar. Kemi shanse të mira në privatizim të gjithë strukturës”.

OBJEKTIVI-TIFOZËT – Objektivi mbetet ndeshja e radhës. Kush nuk e do Kupën apo kampionatin, por duhet parë çdo ndeshje. Do të jetë një gjë shumë e mirë të shkojmë në Kupat e Europës. Luajmë me Luftëtarin, që është ekip i persekutuar si Flamurtari. Ka ndodhur edhe vjet,kur ishte ekipi që luante futbollin më të bukur. Por ka një luftë ndaj Luftëtarit, Flamurtarit, ndërsa ekipe si Apolonia, Bylis apo ndonjë tjetër, luajnë një kategori më poshtë. Çfarë duan të bëjnë këta zotërinj me jugun e Shqipërisë. Këta duan të ndajnë Shqipërinë. Ideal do të ishte kampionati me 14 skuadra dhe kështu duhet të bëhet, pasi do të kishim më pak mundësi për trukime apo lëshime gjatë garës.

FLAMURTARI B Te Flamurtari B ka diçka tjetër. Ishte një fond limit fantastik, që ishte thuajse për një ekip Superioreje. Trajner do të ishte një ish-lojtar i Flamurtarit, Sadedini. Por çfarë ndodhi? Ikën të gjithë. Veç kontratës, do të kishin edhe 100 mijë lekë për fitoren, ushqimin me ekipin e parë. Shumica e këtyre do të federoheshin tek ekipi i parë. Ne donim t’i kishim para syve tanë, t’i shikonim. Ishte pritshmëria e lartë për ta, sot nuk dihet ku janë. U shkonte rroga te 1 milion lekë në muaj si individ, por çfarë bënë? U larguan dhe sot nuk dihet se ku luajnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *