Idrizi: Duka më mirë të tërhiqet. E ftoj së bashku me Finon në Vlorë

1

Administratori i Flamurtarit ka paditur FSHF-në dhe kreun e saj. “Ky është një sistem i dështuar i Dukës. Fino nuk ka lidhje me strukturën e çimentuar të tij”

Elton Nika

Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit, ka bërë kallëzim penal në  Prokurori ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit për 12 shoqatat, që sipas numrit një të klubit vlonjat kryejnë aktivitet të paligjshëm. Idrizi, ka folur për një paligjshmëri, për të cilën vetë kreu i klubit vlonjat ka theksuar se është kudo në futbollin shqiptar dhe që e ka kallëzuar disa herë, ashtu si edhe informalitetin që shoqëron prej vitesh futbollin shqiptar. Po ka kallëzimi penal edhe ndaj kreut të FSHF-së, Armand Dukës, një kallëzim i bërë në prokurorinë e Tiranës. Bëhet fjalë për një dosje të cilën Idrizi e ka përmendur disa herë, por duket se jo gjithçka do të ndalet pikërisht këtu.

“Kam hapur kallëzim penal dhe është hapur për 12 shoqatat e paligjshme që ushtrojnë aktivitetin brenda FSHF-së. Janë shoqata që nuk kanë emra, nuk paguajnë as taksa. Zbuluam një ilegalitet, për të cilin kam folur edhe më parë. E kemi kaluar në Prokurori këtë çështje. Është një garë e pandershme, ne nuk do ta lejojmë këtë gjë. Jemi të rregullt me shlyerjen e detyrimeve dhe në këto kushte nuk e lëmë me kaq. Unë besoj te Prokuroria dhe organet e drejtësisë. Them se drejtësia në këtë vend nuk ka vdekur. Ky është një sistem i dështuar i Dukës. Janë në listën për të votuar klube dhe anëtarë që nuk ekzistojnë më. Po ashtu mund të them se është skandaloz fakti që klube si Orikumi nuk mund të votojnë, nuk kanë të drejtë. Fino nuk ka lidhje me strukturën e çimentuar të Dukës.

“Do të ishte në dinjitetin e tij të tërhiqej dhe do të kujtohej për gjërat që ka bërë mirë. Por kjo nuk është dosja e vetme që kemi përgatitur, prisni dhe do të shihni. Ne kemi kohë që tregojmë dhe kërkojmë të luftojmë informalitetin në futbollin shqiptar, informalitet që për çudi na ka dënuar ne si klub, që nuk kemi paguar detyrime ndaj njërit apo tjetrit, kur këta të fundit kanë punuar me dy kontrata dhe kanë vjedhur shtetin. Për çudi diçka e tillë nuk i ka interesuar FSHF-së dhe komisioneve të saj në asnjë moment. Thjesht janë mjaftuar me dënime ndaj klubit të Flamurtarit, vetëm sepse ne kemi dalë nga vija dhe sistemi i kalbur që është ngritur.

“Nuk keni parë asgjë akoma, pasi do të ketë shpejt dhe dosje tjetër rreth këtyre fakteve, por edhe të tjera fakte shumë të rëndësishme për futbollin shqiptar, fakte që kanë të bëjnë pikërisht me goditjen e këtij sistemi. Ne do të kërkojmë rikthimin e të gjitha pagesave që kemi bërë”, ka deklaruar Idrizi, që në fund i ka bërë një thirrje publike të dy kandidatëve të jenë të pranishëm në Vlorë në ndeshjen Flamurtari-Partizani. “Unë ftoj më 27 janar të dy kandidatët të ndjekim ndeshjen bashkë, pasi takimi mes Flamurtarit dhe Partizanit është një derbi mbarëkombëtar”, përfundon Idrizi.

You might also like
1 Comment
  1. Tani says

    Ky e ka ne terezi, nuk paguan lojtaret, nuk paguan taksat por flet e myt fare duke fol. Ca esht ky lloj specie?

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.