“Idi”, ngrije kokën, ai shirit të ka shumë hije!

Anton Cicani

Alban Hoxha ka pranuar të dorëzojë shiritin e kapitenit, teksa ai ka shkuar te Idriz Batha, shoku i skuadrës dhe numri “10” atipik i Partizanit. Atipik sepse nuk është fantazist, por një futbollist që di mjaft mirë se cili është kufiri i tij dhe se çfarë mund të japë. Nga fusha, Batha largohet gjithmonë i sfilitur, pasi të ketë djersitur “shtatë këmisha” dhe pasi mushkëria e tij të jetë e ezauruar plotësisht.

E ul kokën “Idi”, sepse ndjen peshën e fanellës, sidomos kur mban në krah një shirit me peshë, që dikur e kanë mbajtur legjenda, por nuk duhet ta bëjë. Nuk ia dhuruan, e meriton. Dhe, duhet shtuar, i ka shumë hije. Sepse, nëse sot edhe një jabanxhi çfarëdo fiton 2-3 mijë euro në muaj, dikur Idi me shokë paguante nga xhepi drekën dhe ndërrohej në autobus, në transfertat e Kategorisë së Dytë me Partizanin.

Atëherë kur luante në fusha ku të goditeshe me gurë është ritual njësoj si të bësh dush pas plazhi… “Idi” e ka fanellën e Partizanit lëkurë të dytë, jo thjesht një fanellë. Është personifikimi i një futbollisti që gëzon respekt në çdo stadium.

Me gjithë respektin për portierin Hoxha, që edhe dje mori ovacionet e publikut, këtë herë, Juliano & Co kanë vendosur drejtë, duke ia dorëzuar atë shirit një futbollisti që, duke hequr dy “kllapat” me Besën dhe Teutën, me Partizanin ka lidhur… jetën. Dhe, nëse do të vazhdonte të mbante shiritin, atëherë nuk do të përbënte skandal, por një vlerësim për karrierën e një lojtari që provoi momentin më të errët të Partizanit dhe e bëri me krenari, pa para, por me zemër…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *