Ideja e Milanit, Andre Silva në shkëmbim të talentit të Monakos

Milani u nxitua verën e shkuar, kur nevoja për një sulmues të nivelit të lartë dhe dështimi për të blerë emra si Beloti e Obamejang e detyroi të shpenzonte jashtëzakonisht për dy lojtarë qëkanë zhgënjyer totalisht: Kaliniç e Andre Silva.

Ky i fundit ishte shpenzim marramendës për arkat e klubit kuqezi, pasi talenti portugez kishte dhënë sinjale të mira te Porto, por nuk ishte konfirmuar ende si një sulmues klasi dhe i mungonte eksperienca.

Tashmë te Milani janë bindur që Andre Silva (2 gola në kampionat e 8 në Europa League) nuk ka të ardhme në Milano dhe po mundohen të gjejnë një mënyrë për ta shitur pa humbur nga 38 milionë eurot që shpenzuan vjet.

Ideja e fundit e klubit kuqezi është një shkëmbim me sulmuesin Keita Baldé, i cili vjet luante te Lacio dhe Milani tentoi gjithë verën ta blinte, duke bërë ofertë për ta marrë në “paketë së bashku me Bilian, por në fund Keita shkoi te Monako për 30 milionë euro.

Në Principatë Keita ka luajtur 33 ndeshje, me 8 gola e 11 asiste. Një bilanc i mirë për 23-vjeçarin senegalez, që tashmë mund të kthehet në Itali, sepse Milani po përdor një kartë të fuqishme, agjentin e njohur Zhorzh Mendesh.

Ky i fundit mbulon interesat e Andre Silvës dhe të martën është takuar me drejtorin sportiv të Milanit Mirabeli, por Gazzetta dello Sport shkruan se në takim ishte edhe drejtori sportiv i Monakos, Majkëll Emenalo. Duhet theksuar se Zhorzh Mendesh ka marrëdhënie të shkëlqyera me Monakon, sepse ky agjent e ka bërë të pasur klubin e Principatës, me transferime stratosferike vitet e fundit.

Plani duket se është transferimi i Andre Silvës tek kampionët e vjetshëm të Francës, por Milani shpreson që të përfshijë në marrëveshje Keitanë, një lojtar me cilësi të shkëlqyera, që mund të luajë në të dy krahët e sulmit dhe do t’i mundësonte Milanit të përqendrohej më pas te shitja e Kaliniçit dhe te gjetja e një sulmuesi tjetër qendror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *