Ideimi që kaloi caqet, Partizani: Nuk ka distancim as nga Tirana, ishte vepër kriminale!

Në mbrëmjen e djeshme “Sport Ekspres” raportoi edhe një ekskluzive mbi një ideim që kaloi të gjitha caqet e menduara. Kështu, tifozët e Tiranës kishin përgatitur dhe hapur tre gropa në stadium duke i mbushur me kallëpa me fishekzjarre, ndërsa fitili ishte gati për t’u ndezur dhe kishte shkuar te tifozët e Tiranës.

Mbi këtë ngjarje ka reaguar edhe klubi i Partizanit, që e ka quajtur një vepër kriminale, ndërsa thekson se nuk ka asnjë reagim nga klubi i Tiranës. /Sport Ekskpres/

REAGIM

Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë. Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.