Ide gjeniale/ Ndeshje me dyer të mbyllura? Tifozët e Borussias e kanë zgjidhjen, bëjnë si ekipi i Bakajt

Futbolli vijon të mbetet në pritje të dritës jeshile për të zënë sërish vend në fushën e lojës. Klubet dhe federatat po mendojnë të gjitha skenarët për të vendosur fatin e këtij sezoni të ndërperë përgjysmë, ndërsa disa ekipe kanë nisur nga puna për të gjetur zgjidhjet në rast se do të luhet me dyer të mbyllura. Një vendim i tillë do të sillte një humbje të konsiderueshme të ardhurash prej shitjes së biletave, ndërsa nga ana tjetër do të sillte edhe një atmosferë më të vakët për vetë futbollistët.

Por në një moment të tillë klubet dhe tifozët po nxisin kreativitetin e tyre dhe kanë ardhur me një zgjidhje gjeniale për të mos i lënë bosh stolat e stadiumit. Tifozët do të jenë aty, megjithëse këtë herë jo fizikisht. Mbështetësit e Boruassia Monchengladbach kanë hedhur një ide për të ndërtuar një “kopje“ kartoni të tyren, që do të përmbajë fytyrën e secilit person që ble një biletë. Kjo ide ka nisur të zbatohet që tani, teksa janë mbi 1000 tifozë që kanë krijuar kopjen e tyre, e cila do të vendoset në shkallët e stadiumit për një shifër prej 19 eurosh.

Diçka e ngjashme është vënë në jetë edhe në kampionatin e vetëm ku po luhet futboll në Europë. Madje ka qenë ekipi i Elis Bakajt, Dinamo Brest, ai që ka mbushur stadiumin me manekina me  fotot e tifozëve të tyre. Një risi interesante që vlen vërtet shumë, teska tifozët i bëjnë të qartë ekipit të zemrës se megjithëse nuk mund të jenë të pranishëm fizikisht në shkallët e stadiumit për shkak të situatës së Koronavirusit, sërish nuk i braktisin e nuk i lënë vetëm futbollistët dhe klubin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/