Ibrahimoviç dhe ndjenja e tij për hakmarrje: Më mori 4 vite për ta dërguar Materazzin në spital

Gjithnjë i veçantë dhe i paparashikueshëm, Ibrahimoviç rikthehet në vëmendjen e të gjithëve, por këtë herë jo për të zbuluar emrin e ekipit të tij të ri. Suedezi ka rrëfyer për revistën GQ edhe një inat të vjetër me ish-mbrojtësin e Interit, Materazzin. Kështu sulmuesi 38 vjeçar ka treguar se nuk ka mundur ta kalojë lehtë atë ndërhyrje të ashpër të italianit në vitin 2006, që e detyroi të linte fushën e lojës. Ibrahimoviç është shprehur se ka pritur gjatë për t’ia kthyer gjithçka me të njëjtën monedhë dhe pas 4 vitesh pritjeje, hakmarrja e tij erdhi dhe ishte e hidhur për ish-lojtarin zikaltër.

“Unë luaja për Juventusin dhe po ndesheshim kundër Interit në vitin 2006. Materazzi më bën një hyrje vrastare dhe më lëndon. Si futbollist ishte i keq. Ka dy mënyra për të luajtur keq dhe njëra është më qëllim për të të lënduar. Pas faullit më duhej të dilja për një moment për t’u mjekuar dhe Capello më pyet: “Do të të zëvendësoj?”. Dhe unë iu përgjigja me jo, pasi doja të kthehesha në fushë vetëm për të shlyer gjithçka me Materacin. Nëse dikush më bën diçka të tillë, mua nuk më del lehtë nga mendja. Por pas dy minutash ndjej shumë dhimbje dhe nuk mund të luaj.

Pastaj shkoj te Milani. Në ndeshjen e parë, derbin e 2010-11, ata janë të gjithë kundër meje. Kjo më motivon. Por nëse nuk keni kontroll, nuk është diçka e mirë, sepse e humbet toruan dhe bën ndonjë marrëzi. Arrita të fitoja një penallti, që ma shkaktoi pikërisht Materazzi. Në pjesën e dytë MAterazzi vjen drejt meje dhe në atë moment i bëj një ndërhyrje që e dërgoi në spital. Stankoviç më pyeti: “Pse e bëre atë, Ibra?” Dhe unë i them: “Unë kam pritur për këtë moment për katër vjet. Kjo është arsyeja pse”.”, ka rrëfyer Ibrahimoviç./Sport Ekspres/