“Ia kemi bërë punën e lehtë Ministrisë”, Nurishmi për futbollin: Të nisim në fund të majit, e thonë edhe specialistët

Futbolli shqiptar duhet të presë ende për të marrë miratimin e qeverisë shqiptare për të rifilliar sërish. Ministria Manastirliu bëri me dije ditën e djeshme se dita e sportit do të jetë e largët në Shqipëri, megjithëse risku është shumë herë më i ulët në fushat e blerta se sa në baret apo restorantet që priten të hapen duke nisur nga 18 maji. Specialistë si Doktor Pëllumb Pipero kanë dalë kundër qeverisë mbi këtë çështje, duke trumpetuar me të madhe hapjen e futbollit.

Në lidhje me këtë temë ka folur edhe Shefi i Garave pranë FSHF-së, Lysien Nurishmi, i cili për “Ora TV” është shprehur se kanë gati gjithë protokollet që do të ndiqen si dhe datat për rinisje. Në këtë mënyrë Federata ia ka bërë më të lehtë punën Ministrisë së Shëndetësisë, pasi mjafton vetëm aprovimi i tyre, qoftë edhe për sa i përket stërvitjeve. Nurishmi deklaron se edhe specialistët janë pro futbollit, ndërsa bën me dije se FSHF është e përgatitur edhe për skenarin e rifillimit në qershor, duke i marrë kështu masat për çdo rast.

“Ne kemi kërkuar dhe mënyrë zyrtare e jozyrtare për të patur një komunikim me ministrinë për të ngritur një grup pune për sa i përket ecurisë për të rifilluar procesin. Për t’i ardhur në ndihmë qeverisë,  kemi përgatitur një protokoll sanitar, duke ndjekur modelin dhe me ndihmën e specialistëve të UEFA-s dhe FIFA-s. Është një material i plotë dhe i gatshëm për tu vendosur në zbatim. Ja kemi bërë punën e thjeshtë ministrisë për tu ulur e për të biseduar për këtë proces. Të rifillojë të paktën stërvitja dhe me mbarëvajtjen e situatës të shohim një datë për rifillimin e kampionatit.

Specialistët e shëndetit kanë thënë se futbolli mund të fillojë pasi nuk përbën problem për lojtarët infektimi. Ne do të zbatojmë të gjithë pikat e parashikuar në protokollin sanitar që ne kemi hartuar. Nëse të gjithë i zbatojnë këto pika, mundësia për përhapjen e koronavirusit është shumë e ulët.

Ne skenaret i kemi gati me data për rifillimin e kampionatit. Edhe për muajin qershor ne e kemi planin. Do të jetë një muaj i ngjeshur për lojtarët dhe ekipet. Deri më datë 6 Gusht ne duhet të dorëzojmë emrat e ekipit fitues të kampionatit. Do të ishte në të mirën e të gjithëve që kampionati të rifillojë në fund të muajit maj”, ka thënë Lysien Nurishmi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/