I shënoi Laçit dhe Shqipërisë, talenti norvegjez futet në histori!

Në Poloni po zhvillohet edicioni i 22-të i Kupës së Botës për U-20. Ditën e djeshme janë zhvilluar disa nga ndeshjet e treta në grupe, ku ra në sy fitorja e thellë e Norvegjisë me shifrat 12-0 ndaj Hondurasit.

Kjo ishte dhe fitorja më e thellë e regjistruar në historinë e Kupës së Botës për U-20. Ndërkohë, bujë të madhe bëri edhe sulmuesi i talentuar Erling Braut Haland, i cili shënoi plot 9 gola në këtë takim.

Haland është një emër i dëgjuar, sidomos për ne shqiptarët, pasi sulmuesi ka luajtur me Molden kundër Laçit vitin e kaluar në kualifikueset e Europa League dhe i ka shënuar kurbinasve dy herë. Po ashtu, gjiganti i sulmit i ka shënuar dhe Kombëtares kuqezi të U-19 dy gola.
Janarin e këtij viti 18-vjeçari u ble nga Salcburg për plot 5 milionë euro, një shifër që konfirmon potencialin e madh që sulmuesi zotëron. Haland shënoi ndaj Hondurasit katër herë në pjesën e parë dhe pesë herë në fraksionin e dytë. Gjithsesi, sipas gjasave triumfi i thellë nuk do t’i mjaftojë Norvegjisë, pasi Portugalisë i mjafton vetëm një pikë ditën e sotme ndaj Afrikës së Jugut për t’i eleminuar “vikingët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *