“I përkëdheluri i Tares”? Thomas Strakosha ngrihet edhe mbi karrierën e babait, tani Foto fshihet nga interneti

Nga Klaudio Ndreca

Kur Thomas Strakosha ishte duke hedhur hapat e parë të vërtetë, kishte jo pak paragjykim edhe nga tifozët shqiptarë. Shumëkush mendonte se vendi i titullarit te Lacio në mundësitë e para ishte një dhuratë zemërgjere që vinte vetëm nga imponimi i Igli Tares.

Por me kalimin e kohëve, Strakosha e tregoi më së miri sesa vlente. Atë që nuk mundi ta bënte dot Etrit Berisha, me më shumë eksperiencë mbi shpatulla, e realizoi bashkëpatrioti i tij. Marketi ishte i pazëvendësueshëm te lacialët, duke qenë si portieri i parë edhe pas gafave të panumërta. Por me shpërthimin e Strakoshës, drejtuesit nuk e menduan dy herë për t’i besuar të ardhmen një djaloshi me prespektivë.

Tashmë portieri i Kombëtares është kthyer në një shtyllë kryesore për Inzaghin, njeriun që ka punuar me të që te Primavera. Këtë herë janë së bashku dhe kërkojnë fitimin e Skudetos në Itali, duke provuar të pamundurën ndaj Juventusit. Madje Thomas Strakosha po ngrihet edhe mbi karrierën e babait të tij, ku rruga është e shtruar për të mbërritur në majat më të larta, atje ku ndoshta nuk ka shkuar asnjë lojtar shqiptar më parë.

Ndërkohë që edhe me një kërkim të thjeshtë në internet, nëse kërkohet për Foton, rezultojnë vetëm imazhet e Thomas Strakoshës. Është pikërisht ky i fundit që ka pushtuar të gjitha mediat, duke bërë që të njihet vetëm për emrin dhe talentin që zotëron vetë, e jo për historinë e babait të tij. Jo pak kjo për portierin 25-vjeçar, ndërsa edhe babai Foto mund të krenohet me arritjet e djalit, pasi në fund të fundit, prindi dëshiron për fëmijën e tij që të mbërrijë atje ku nuk mundi dot vetë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *