Goli i Dejvi Bregut në “Air Albania” ndaj Tiranës ishte i pari për të në këtë stadium, por njëkohësisht edhe i fundit. Futbollisti do të largohet nga Skënderbeu, për të nisur një tjetër aventurë. Këtë herë në Rusi, në vendin që merkato mbyllet më 21 shkurt.
Deri atëherë do të kemi zyrtarizimin e marrëveshjes së re, ndërsa emri i klubit është mbajtur i fshehtë me fanatizëm si nga drejtuesit e klubit, por edhe nga vetë lojtari. Disa detaje të vogla mbeten për t’u vulosur, por rrugët me klubin korçarë do të ndahen.
E ky largim vjen në mënyrën më të mirë për Bregun. Duke shtrënguar dhëmbët për të luajtur ndaj Tiranës pavarësisht dhimbjeve që ndiente, duke shënuar për herë të parë në “Air Albania” dhe për të lënë shenjën e tij në këtë stadium të ri, por njëkohësisht edhe duke ndalur fitoret radhazi të Tiranës. Nëse ky lojtar nuk do të ishte i pranishëm në ndeshjen e sotme, situata mund të fliste ndryshe, por fatmirësisht për Skënderbeun merkato në Rusi ka një tjetër datë për mbylljen e transferimeve. Dejvi Bregu-Skënderbeu, kaq ishte e gjitha, por ndahen me dashuri, ndoshta rrugët takohen sërish në të ardhmen. /Sport Ekspres/