I “padisiplinuari” Guri dhe rivalët, Pakult hap kartat

Austriaku vlerëson Luftëtarin dhe tregon se çfarë ka ndryshuar te sulmuesi shkodran. Nga problemet në mbrojtje te mungesa e alternativave në sulm, flet tekniku i Kukësit

Peter Pakult ka dalë si zakonisht para mediave dhe ka folur për situatën në ekipin e tij dhe për ndeshjen e radhës. Vlerësime maksimale ka marrë Luftëtari, ndërkohë që thekson se verilindorët duhet të vijojnë me të njëjtin ritëm për të arritur objektivat që kanë. Austriaku flet edhe për problemet në mbrojtje, rivalët, po edhe për Sindrit Gurin, që po kalon një formë mjaft të mirë, por për Pakult mund të bëjë edhe më shumë. “Luftëtari ka një seri me rezultate të mira, është një ekip që luan shumë mirë futboll dhe i rrezikshëm përpara. Mendoj që na duhet një paraqitje shumë e mirë për të fituar ndeshjen. E njoh Luftëtarin. Ndeshjen me Partizanin e kam parë dy herë dhe bëhet fjalë për një ekip shumë të organizuar, shumë të mirë. Ata tentojnë të luajnë në sulm, me dy lojtarë para mbrojtjes shumë të disiplinuar, ndaj na nevojitet t’u lëmë sa më pak hapësira dhe të luajmë sikur dimë ne. Kemi mënyrën tonë të lojës dhe në çdo ndeshje ne futemi për të fituar. Nëse e shohim tabelën, nga vendi i tretë deri në vendin e shtatë ndahen me tre pikë, ndaj do të jetë një luftë deri në fund. ka diferenca shumë të vogla mes ekipeve”.

BRISHTËSIA NË MBROJTJE

“Çdo trajner dëshiron që ta mbajë prapa zero. Atë që kemi bërë mirë në këto javët e fundit ka qenë se kemi shënuar një gol më shumë se kundërshtarët. Kjo është ajo që llogaritet në futboll. Rikthehen Alla dhe Shamti? Normal, është gjë e mirë që rikthehen në ekip në një moment kyç të kampionatit. Alla nuk është ende në 100% e tij. Me rëndësi ishte që u kthye të luante 90 minuta të shtunën pas një pushimi të gjatë. Kishim dëmtime dhe të pezulluar. Ata që i zëvendësuan e bënë punën shumë mirë, si Hoxha, ashtu edhe Musolli. Patjetër është me rëndësi që kthehen dy lojtarë me përvojë se ata Pësoni shpesh të parët, druheni se do ndodhë sërish? Është e saktë, kemi probleme në mbrojtje, pasi me shumë raste të vogla po pësojmë gola. Po punojmë ta përmirësojmë këtë pjesë nga dita në ditë. Kur i analizojmë ndeshjet dhe golat që pësojmë po shoh gjëra që nuk më pëlqejnë. Nuk shoh agresivitetin e duhur te mbrojtësit tonë. Po bëjmë çmos që të përmirësohemi në atë repart”.

GRUPI DHE RIVALËT

“Nuk është se jemi të gjithë, pasi Bakaj u largua dhe në pozicionin e sulmuesit të dytë nuk është se kemi shumë opsione. Duke ditur që Balde javën e kaluar është larguar për në vendlindje për disa ditë, nuk kam alternativa për të ndryshuar diçka në sulm. Rivalët për vendin e dytë? Të gjithë janë të rrezikshëm, deri në vendin e shtatë. Janë vetëm tre pikë diferencë mes këtyre ekipeve. Këtë javë të gjitha ekipet do luajnë kundër njëra-tjetrës. Është me rëndësi që nga ndeshja në ndeshje të marrim maksimumin e pikëve. Mendoj se duke parë faktin që kemi qenë në vendin e katërt me tre pikë më pak kur erdha, kurse tani jemi gjashtë pikë me vendin e tretë, kjo do të thotë janë bërë disa gjëra të mira. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu, që deri në fund të kemi sukses”.

SINDRIT GURI

“Guri vetvetiu po punon shumë për vete dhe për ekipin. Ato që ka bërë i ka arritur vetë. Normale kam ndihmuar edhe unë, i ndërrovapak  mentalitetin që ka pasur. Kam dëgjuar se ndonjëherë është vonuar shumë nëpër stërvitje, nuk ka qenë maksimalisht siç duhet i disiplinuar. Edhe një gjë, kam biseduar shumë me të, pasi edhe unë kam qenë sulmues. Duke parë se ka shumë potencial, them se akoma nuk ka arritur ku e shoh unë. Shpresoj se dita-ditës duke punuar do arrijë në atë nivel që e shoh unë. Është me rëndësi për Gurin, pasi po e shohim se në sulm ka shumë hapësira, merr përsipër gjëra, pasi e dimë që në dyluftim është i fuqishëm, driblon dhe është i shpejte. Edhe fizikisht është në gjendje shumë të mirë dhe po e shpreh”.

Formacioni i mundshëm

Kukësi: Koliçi – Zhderiç, Hoxha, ShametiRrumbullaku – Ethemi, Musolli, Dzaria, Kale – Shkodra – Guri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *