I mban lojtarëve fjalim, Safet Gjici i sinqertë: Bashkia nuk hedh asnjë lekë për Kukësin!

Kukësi ka kryer stërvitjen e parë pas ardhjes nga Antalia, atje ku ka kryer përgatitjet për vazhdimin e kampionatit shqiptar. Safet Gjici është shfaqur për të motivuar më tepër futbollistët, ndërsa e ka nisur me një fjalim për ta, para se të kalonin nën urdhërat e Duros.

Në intervistën e dhënë për “Top Channel”, Gjici tregon me sinqeritet se Bashkia nuk ka shpenzuar asnjë lekë për klubin e verilindorëve, pavarësisht se ka aksione në këtë skuadër. Gjithashtu është komentuar edhe ndeshja me Partizanin, që është rivali kryesor në luftën për titull.

‘’Skuadra është në formë mjaft të mirë, dhe mesa me kanë komunikuar drejtori dhe trajneri lajmi pozitiv është që nuk kemi pasur dëmtime. Ne penalizohemi sepse nuk kemi stadiumin tonë dhe na është dashur për dy vite, pra sezonin e kaluar dhe këtë aktual ta luajmë në stadium të ndryshme’.

Unë jam president nderi sepse posti im tani është kryetar bashkie. Në të vërtetë bashkia ka disa aksione në klub pavarësisht se nuk ka hedhur asnjë lekë për këtë klub, as më parë e as tani.

Mendoj se deri në fund të kampionatit do rivalizojmë me Partizanin. I ftoj tifozët të jenë prezent në stadiumin e ri aty ku do të ndeshemi me ta dhe të na mbështesin. Të vijnë jo vetëm për të parë Air Albaninan por për të shijuar një ndeshje që unë mendoj se do jetë spektakolare’’, tha Gjici. /Sport Ekspres/