“I krisuri” Sarri/ Paradoksi me Ruganin që e çon te Milani, Hysaj duhet të mos “gënjehet” në janar

Merkato e janarit është duke afruar dhe disa ndryshime priten te Juventusi sa i përket hyrjeve dhe daljeve në skuadër. Një paradoks i madh ndodh me Daniele Ruganin. Pikërisht futbollisti që trajneri Sarri e formoi vetë disa vite më parë kur ishte pjesë e Empolit.

Të gjithë e kërkonin këtë lojtar dhe Juventusi arriti të firmoste. Kur Sarri shkoi te Napoli e kërkoi, por nuk mundi ta merrte. Gjithashtu edhe kur kishte në drejtim Chelsean, por përgjigja do të ishte negative. Ndërsa tashmë që e zotëron këtë futbollist te Juventusi, për Ruganin nuk ka hapësira. Asnjëherë ky lojtar nuk ka pasur besimin e Sarrit, përveç rasteve të emergjencës.

Pikërisht për këtë arsye do të vijë edhe largimi nga bardhezinjtë në janar, atje ku Milani dhe Zeniti kanë hyrë në garë për të transferuar. Kuqezinjtë shihen si opsioni më i mundshëm, por duhet pritur edhe për ofertat zyrtare që do të vijnë nga të dyja klubet.

Ndërkohë në Itali kanë nisur edhe t’i bëjnë jehonë historisë së Elseid Hysajt për t’u transferuar në janar te Juventusi. Një tjetër futbollist i formuar nga Sarri, por rasti i Ruganit tregon se mbrojtësi shkodran nuk ka asgjë të sigurt nëse bazohet vetëm te e shkuara. Mbi të gjitha kur arrihet që Kristiano Ronaldo të dalë dy herë nga fusha e lojës dhe madje radhazi, asgjë nuk mund të jetë e garantuar me Sarrin. /Sport Ekspres/