“I keni nxjerrë ujin e zi”, Halili sqaron çështjen Muzaka

Borxhet e së shkuarës janë një shqetësim për Tiranën dhe një nga çështjet që është zvarritur më së shumti, pasi Komisionit të Disiplinës i është dashur të lëshojë tre herë ultimatum për bardheblutë, është ajo e Gjergji Muzakës. Për herë të fundit ndodhi në fund të muajit janar. 30 ditët janë plotësuar, ndërkohë që vetë lojtari heziton të flasë.

Halili, kur pyetet në lidhje me këtë çështje, sigurisht që nuk ndihet mirë: “Këtë pyetje është mirë t’ia bësh Muzakës, jo mua. Kështu që bëja atij. Ia keni nxjerrë ujin e zi me këtë pyetje Tiranës. Pyesni atë si shkon detyrimi, t’ju thotë ai. Shpresoj të mos i ketë dhënë ndonjërit përqindje. Nuk kanë pushuar komentet për të”.

Pretendimet e Halitit dhe të klubit kanë qenë që më herët se u është bërë një padrejtësi, por të ndodhur para një vendimi të Dhomës Kombëtares të Zgjidhjes së Konflikteve, kane qenë të detyruar ta zbatojnë. Edhe pse u tentua që çështja të dërgohej në CAS, Tirana u tërhoq.

Së fundmi, sikurse mëson “SportEkspres.com”, mes palëve ka pasur sërish marrëveshje dhe pritet që Muzaka të shlyhet dhe përfundimisht kjo çështje të marrë fund. Deri në fund të muajit Tirana duhet të dorëzojë dokumentacionin e plotë për licencimin nga UEFA dhe në proces janë edhe të tjera shlyerje, që edhe më parë kanë penalizuar bardheblutë. Presidenti Halili më parë është shprehur i bindur se gjithçka do të shkojë “OK” dhe Tirana do e marrë licencën nga UEFA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *