I arrestuar në Hungari, flet mendja e Football Leaks: Nëse kthehem në Portugali, nuk dal gjallë nga burgu

Ndoshta e keni lexuar e dëgjuar muajt e fundit termin “Football Leaks”, që në shqip përkthehet “Rrjedhjet e informacionit të futbollit”. Nëse nuk e keni të qartë, bëhet fjalë për një mal me dokumente që kanë publikuar mëkatet më të mëdha të futbollit botëror: dhunim i fair-play financiar, evazion fiskal, korrupsion, pronësi të shumëfishta, fshehje bilancesh, deklarata false, manipulim kontratash.

“Mendja” pas Football Leaks është Rui Pinto, është portugez, 30 vjeç, dhe jeton në Budapest. E quajnë “pirat elektronik” dhe autoritetet portugeze e kërkojnë prej vitesh. Më 16 janar 2019 u arrestua në Budapest, pasi e kërkonte Interpoli. 24 orë pas arrestimit kaloi në arrest shtëpie, me një byzylyk elektronik në kaviljen e majtë, për të mos u arratisur.

Të martën, më 5 mars, një gjykatë në Budapest ka vendosur për ekstradimin e tij në Portugali, por fillimisht ka apel dhe brenda javës Rui Pinto do të mësojë fatin e tij.

RUI PINTO – Kush është ky personazh misterioz, që i është futur një lufte që ka vënë në siklet FIFA-n e UEFA-n, si dhe shumë klube të mëdha? Rui Pinto, një tifoz i Portos, ka folur për Der Spiegel, revista gjermane që bën pjesë në grupin mediatik që ka pranuar të publikojë sekretet e Football Leaks, që me siguri ka në gjirin e vet shumë piratë informatikë.

Rui Pinto thotë se është rritur me futbollin, ka luajtur edhe futboll salle, ndërsa më pas u specializua në informatikë dhe arriti deri në pikën kur u bë aq i zoti, sa arriti të zbulonte dosje të fshehta duke depërtuar në faqe pa fund interneti.

Në vitin 2015 mori jetë faqja online Football Leaks, ku gjenden shumë informacione të rezervuara në lidhje me futbollin botëror. Dosja e parë i përkiste Tventes, që përmbante informacione sekrete për lidhjet mes klubit holandez dhe grupit Doyen Sport, grup investimi që kishte disa lojtarë në zotërim dhe kështu shkeleshin rregullat e FIFA-s. Për pasojë, Tvente u përjashtua për 3 sezone nga kupat e Europës.

Doyen e akuzoi Football Leaks se kishte bërë shantazh, duke kërkuar 500 mijë euro, ndaj policia portugeze hapi një hetim, ndërsa Rui Pinto mohonte gjithçka.

Më pas Football Leaks publikoi çmimin e vërtetë të Radamel Falkaos, i cili shkoi te Monako për 43 milionë euro dhe jo për 60, siç u publikua nga klubi. Me radhë, dolën informacione për transferimet e Bejl dhe Hames Rodrigez te Real Madridi.

Në dhjetor 2016 Football Leaks u bashkua me gjermanen Der Spiegel, italianen L’Espresso dhe spanjollen El Mundo, që krijuan një rrjet duke publikuar çdo skandal në rang botëror.

Dolën sekretet e Ronaldos, Murinjos, Mesit dhe shumë emrave të tjerë të njohur. Ishte një hap i madh përpara, pas një pune kolosale, me Football Leaks që i dorëzoi revistës Der Spiegel 18.6 milionë dokumente, që po publikohen prej 2016.

Në 2 nëntor 2018 plasi skandali i shkeljeve të Fair-play financiar nga ana e Mançester Sitit dhe PSG-së, ndërsa i përfshirë ishte edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. FIFA e konsideroi një tentativë për të rrëzuar drejtuesit e rinj në FIFA.

Tani Rui Pinto është i arrestuar, nuk dihet me çfarë akuze, ndërkohë që gjithë dosjet skandaloze publikuar nga Football Leaks nuk kanë marrë asnjë përgënjeshtrim, sepse klubet apo lojtarët janë mjaftuar me “është pirateri, nuk komentojmë veprimet e hajdutëve informatikë”.

Askush nuk e thotë si janë marrë miliona dokumente, por Rui Pinto e thotë troç: “Nëse kthehem në Portugali dhe më burgosin, nuk dal gjallë nga burgu”. Ajo që ai ka bërë është diçka e rëndë, u ka shkelur në kallo shumë njerëzve të plotfuqishëm, të cilët nuk e falin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *