Hysaj sërish i majtë, Napoli kalon në Kupë

Pas fitoreve të Interit, Milanit, Fiorentinës dhe Lacios, dhe e ka pasur radhën Napoli të sigurojë një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Italisë, duke mundur 1-0, jo pa sforcim, Udinezen. Ndeshjen e vendosi Lorenco Insinje, i cili u fut në pjesën e dytë, ndonëse kishte një dëmtim të lehtë. Trajneri Sarri la pushim shumë titullarë, por jo Elseid Hysajn. Mbrojtësi kuqezi u rikthye në të majtë të mbrojtjes, duke i lënë vendin e vet të zakonshëm veteranit Kristian Maxhio.

Edhe pse në një tjetër ndryshim taktik nga trajneri Mauricio Sarri, shkodrani dje ka qenë ndër më të mirët, duke u vlerësuar me notën 6,5. “Napoli mbështetet shumë te ai në daljet mbrojtëse dhe është ai që luan më shumë topa. Shoqëron aksionet dhe gabon shumë pak”, shkruan “Tuttonapoli.net”. Gjithsesi, Napoli nuk shkëlqeu dhe u desh futja e Mertens dhe Insinjes për të ndryshuar ritmin e takimit, derisa Insinje shënoi në minutën e 71-të, pasuar nga Mertens. Në çerekfinale Napoli do të përballet me fituesin e çiftit Atalanta-Sasuolo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *