Hysaj: Nuk e imagjinoj dot festën e titullit. Mançester Siti është skuadra më e fortë në Europë

Edhe Elseid Hysaj është një nga ata që do të ishte kurioz të shihte një Napoli në festë për titull. Duke folur për “Radio Kiss Kiss Napoli”, mbrojtësi i Napolit dhe kombëtares shqiptare ka folur për momentin e klubit kampan, që po ëndërron gjëra të mëdha: “Të them të drejtën, nuk e imagjinoj dot dhe askush nuk e di çfarë do të ndodhte në qytet, por mendoj se titullin e meritojmë, ne dhe gjithë Napoli”.

Napoli rimori kreun në mesjavë, pasi e humbi për 24 orë për shkak se Interi luajti më herët, ndërsa Hysaj i kënaqet kthimit te fitorja: “Jemi shumë të kënaqur, sepse Xhenoa është mirë dhe ka qenë gjithnjë një fushë e vështirë. Mund të ndodhë që të pësojmë, por u treguam të zotët për të reaguar dhe për të bërë lojën tonë. Jemi përmirësuar shumë mendërisht dhe reagojmë edhe kur shkojmë në disavantazh, si në Mançester, ku reaguam dhe në fund mund të barazonim. Goli i Mertensit? Ai është një lojtar klasi. E pyeta a dëshironte ta çonte atje ku e çoi, por dukej që donte të gjuante në atë mënyrë. Për fat, luan për ne, por do të ma kishte qejfi ta kisha ndonjëherë kundërshtar, si më ndodhi me Insinjen në kombëtare”.

Nesër Napoli pret Sasuolon në krizë, por Hysaj nuk i zë besë rivalit: “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Sasuolo ka lojtarë të nivelit të lartë. Do të mungojë Berardi, por ka të tjerë shumë të mirë. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe gati, vetëm kur të fitojmë, do mendojmë për ndeshjen e ardhshme”.

Të mërkurën Napoli do të presë Mançester Sitin: “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, kundër skuadrës më të fortë në Europë. Duhet të jemi të vëmendshëm, por kemi treguar se nuk kemi inferiorë. Gjithsesi, prioritet është Sasuolo. Sane? Është i shkëlqyer, teknikisht dhe fizikisht, por kam studiuar si ta ndal dhe shpresoj t’ia dal mbanë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *