Hysaj në grupe, Besnik Hasi ia del me Olimpiakosin

Mbrëmje e bukur për shqiptarët në Champions League, sepse thuajse të gjithë kanë festuar sot.

Elseid Hysaj ishte titullar në fitoren 2-0 që Napoli arriti në Nicë, me italianët që kanë kaluar pa shumë probleme. Fitorja 2-0 në Itali u jepte siguri dhe sot Napoli ka pritur me qetësi rastin për të goditur, që erdhi në minutën e 48-të, kur Kajehon shënoi, pas pasimit nga Marek Hamshik. Aty e tutje Nica u dorëzua dhe në minutën e 89-të Insinje mbylli sfidën.

Festë edhe në Greqi, sepse Olimpiakosi fitoi 1-0 në Kroaci ndaj Rijekës, duke eliminuar kampionët kroatë. Ishte një ndeshje delikate për grekët, sepse kishin fituar me vuajtje 2-1 në Pire, por këtë radhë mbrojtja helene nuk “futi ujë”. Marko Marin shënoi në minutën e 25-të dhe aq mjaftoi që Olimpiakosi të kapte grupet. Meritë e madhe, pa dyshim, i shkon edhe Besnik Hasit, trajnerit të Olimpiakosit që për të dytin vit rresht kap grupet, pas suksesit të vjetshëm me Legian. Tashmë edhe grekët më ekstremistë nuk kanë më ndonjë argument kundër trajnerit shqiptar, që e ka nisur shkëlqyeshëm në Greqi.

Maribori gjithashtu kapi grupet në Champions, sepse fitoi sot 1-0 ndaj Hapoel Beer Shevës, duke përmbysur humbjen 2-1 në Izrael. Sërish titullar dhe autor i një paraqitjeje shumë pozitive mesfushori 22-vjeçar Valon Ahmedi.

I zhgënjyer ka dalë sot vetëm Sokol Cikalleshi, sepse Bashakshehiri barazoi 2-2 në Sevilje dhe u eliminua pas humbjes në Turqi, ndërsa sulmuesi nuk ishte as në stol. Tashmë me shumë gjasa Cikalleshi do të transferohet gjetkë, për të luajtur rregullisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *