Hysaj në “Bernabeu”, sot e vëzhgon edhe Barcelona

0

E ardhmja e Elseid Hysajt mund të jetë Barcelona. Lojtari është shumë afër kalimit te gjigantët spanjollë që prej kohësh, kanë probleme me repartin e mbrojtjes. Dëmtimi i rëndë i Aleish Vidal ka bërë që katalanasit të mos kenë një zëvendësues të denjë për të dhe pozicionin e tij. Kjo gjë duket se ka shtyrë drejtuesit të fillojnë të mendojnë seriozisht për transferimin e një mbrojtësi të djathtë, ku shkodrani është ai që plotëson kushtet për këtë vend. Shkurt, Barcelona vazhdon të ndjekë me vëmendje Elseid Hysajn. Mbrojtësi shqiptar i Napolit është një nga objektivat kryesorë të skuadrës “blaugrana” për merkaton e verës së ardhshme dhe nëse dy klubet arrijnë marrëveshjen për vlerën e transferimit, gjasat janë që Hysaj të bëjë hapin e madh në karrierë duke kaluar në “Camp Nou”. Sipas asaj që shkruan “Calciomercato”, një ofertë nga Barcelona do të ishte e pa refuzueshme për Elseid Hysajn. Klauzola e tij e largimit nga Napoli është 50 milionë euro, ndërkohë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare pritet të ketë një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon. Sipas “Calciomercato.it”, 22-vjeçari nga Shkodra ka përfunduar prej kohësh në radarët e Barcelonës dhe falë formës që ka shfaqur me Napolin gjatë 2 sezoneve të fundit, te Barça janë të bindur se afrimi i Hysajt do të ishte një investim shumë i mirë për të blinduar krahun e djathtë të mbrojtjes. Në këto vite mbrojtësi shqiptar ka treguar se ka aftësi të jashtëzakonshme dhe është gati për t’u bërë pjesë e një skuadre më të madhe se Napoli. Presidenti i klubit të kaltër Aurelio De Laurentis, synon të përfitojë shumë para nga shitja e Hysajt ndërkohë që i duhet të vendosë, se kë duhet të shesë mes mbrojtësit shqiptar dhe algjerianit Goulam, i cili luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe kërkohet nga Bajern i Mynihut. Për Elseid Hysajn ka folur dje edhe presidenti i Empolit, Fabricio Korsi. Ai ka zbuluar se veç Napolit edhe Lacio e donte, por pengesa e 700 mijë eurove bëri që shqiptari të shkonte në Jug. “Lacio e dëshironte lojtarin. Na ofroi 1,8 milionë euro. Ne do ua jepnim nëse mbërrinte në 2,5 milionë euro. Por u shfaq Napoli me 5 milionë dhe e mori”, shpjegoi ai mënyrën se si Hysaj u shit në vitin 2015. Me pak fjalë, ngurrimi i Lacios për të investuar 700 mijë euro më shumë për futbollistin, bënë që karriera e Hysajt të merrte këtë rrugë. Dy ndeshjet ndaj Realit të Madridit në raundin e 1/8-ave të Champions Leagues do të shërbejnë si një “vitrinë” Hysajt për të treguar edhe njëherë vlerat e tij, me shpresën se sezonin e ardhshëm do t’i sfidojë “Los Blancos” në La Liga, duke mbajtur veshur, fanellën “bluagrana” të Barcelonës. Ëndrrat prandaj janë. Për të shpresuar të pamundurën.

Hysaj, gati për Realin

Elseid Hysaj mund të luajë në sfidën me Realin e Madridit. Dëmtimi i pësuar ishte i lehtë. Goditje marrë në kyçin e këmbës së djathtë para dy ditësh, nuk e ka penalizuar mbrojtësin e kombëtares që ta humbë sfidën me spanjollët. Shkodrani do të jetë sot nga minuta e parë në sfidën me Realin, që luhet prej orës 20:45 në “Santiago Bernabeu”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here