Hysaj, katër muajt e fundit me Napolin?

0

“Sezoni do edhe katër muaj që të mbyllet, ndaj nuk është diskutim për t’u bërë tani, edhe pse duhet të theksoj se Elsi luan në një klub të madh”… Mario Xhiufredi, agjenti i Hysajt, vazhdon të diskutojë mbi të ardhmen e mbrojtësit shkodran, edhe pse vetëm pak muaj më parë, ai rinovoi kontratën deri në vitin 2021, duke dyfishuar rrogën e tij (1,5 mln euro në sezon)…  Por, ajo që bën çudi nuk është fakti që menaxheri i futbollistit shqiptar del të flasë për të sa herë i jepet rasti, por vazhdon që të përcjellë sinjale te skuadrat e interesuara. E gjitha një strategji e qartë merkatoje dhe prapaskena që do të dalin shumë shpejt në “sipërfaqe”. Napoli ka vendosur: Hysaj mund të largohet, por jo më poshtë se 40 mln euro (çmimi është deduksion i raportit moshë-talent-cilësi), teksa Aurelio de Laurentis do të donte 50 mln euro, për të mos e diskutuar më si çështje. Por, këtë shifër mund ta ofrojë vetëm një skuadër me buxhet big dhe në Premier League vetëm këto pesë skuadra mund të gëzojnë këtë luks: dy Mançesterat, Çelsi, Arsenali dhe Liverpuli. Sigurisht, Sauthempton, Totenham & co gjithashtu janë fuqizuar ekonomikisht, por do të ishte thuajse e pamundur të shpenzonin kaq shumë për një shqiptar.

Pikërisht për të menduar zëvendësimin e Hysajt, axurrët janë duke menduar për futbollistin e talentuar të Atalantës, Andrea Konti. Sezoni i deritanishëm i mbrojtësit të djathtë të bergamaskëve është për t’u vendosur në kornizë dhe, sipas “Gazzetta dello Sport”, mes Xhuntiolit dhe Atalantës diskutimet janë intensifikuar. Madje, në “pjatë” mund të futet edhe Frenk Kesi. Siç duket, De Laurentis është duke menduar që të bëjë spastrim në mesfushë dhe Zhorzhinjo mund të jetë një tjetër i larguar, pa harruar edhe Alan. Por, duke iu kthyer Hysajt, ekziston edhe mundësia e qëndrimit për t’u improvizuar si një mesfushor krahu të djathtë, në vend të Kajehonit. Por, kjo mbetet vetëm një aludim gazetaresk, pasi e vërteta është se spanjolli s’do të mund të ulet në stol. Megjithatë, mbrojtësi ka oferta në Premier League, teksa gjatë kësaj periudhe, agjenti i tij është duke kryer disa sondazhe. Edhe pse, duhet theksuar, ofertë zyrtare s’ka pasur. Shkodrani është tepër i tërhequr, sidomos, nga Londra, por në Napoli ka gjetur atë ngrohtësi që i duhet. Agjenti i tij, sakaq, kohët e fundit, ka mbetur i pakënaqur për faktin se kritikat post humbjes me Realin ranë të gjitha mbi shkodranin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image