Hysaj e Sadiku: Turqia, të shohim çfarë potenciali kemi

0

Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka folur sot në lidhje me miqësoren e së hënës kundër Turqisë, sfidë që sipas shkodranit na vlen shumë, për të parë ku jemi, aq më shumë që tashmë janë afruar elemente të rinj në kombëtare.

“Është një ndeshje që kemi pasur në kohë që ta përgatisim. Ky do të jetë një test impenjativ për ne që do të bëjë të kuptojmë se cili është potenciali ynë i vërtetë. Një ndeshje që në rast fitoreje do të shtonte akoma më shumë besimin dhe vlerësimin për skuadrën tonë. Jemi një grup shumë i mirë me djem fantastikë që kanë dëshirë për të dhënë maksimumin e tyre me këtë fanellë. Këtë miqësore e kemi konsideruar si një sfidë shumë të rëndësishme për kolaudimin. Do të japim më të mirën tonë kundër një skuadre që ka kualitete dhe agresivitet në fushë. Por, edhe ne kemi një skuadër shumë të lidhur dhe që kërkon të shkojë larg”.

Për Hysajn krahu i djathtë i mbrojtjes mbetet preferencë, edhe pse te Napoli mund të detyrohet të kalojë në të majtë: “Te Napoli kam luajtur si mbrojtës i majtë edhe përpara tre vitesh, por të rikthehesh në atë rol pas një periudhe kaq të gjatë është pak e vështirë, megjithatë unë jam i gatshëm aty ku ma kërkon trajneri dhe ku ka nevojë skuadra. Humbëm një futbollist të rëndësishëm si Gulam por kemi lojtarë të tjerë me peshë në skuadër dhe besoj që do t’ia dalim”.

SADIKU: MIQËSORE PERFEKTE, DUA TË KALOJ BOGDANIN E BUSHIN

Sulmuesi i kombëtares kuqezi, Armando Sadiku, pak a shumë si Hysaj e ka cilësuar mjaft të rëndësishme miqësoren me Turqinë, sidomos për faktin se kombëtarja ka kaluar kohë së bashku dhe grupi është konsoliduar.

“Këto ditë i kanë shërbyer shumë ekipit, sepse kemi pasur mjaft kohë që të qëndrojmë bashkë me njëri tjetrin ta forcojmë edhe më shumë grupin tonë dhe t’i ndihmojmë dhe t’i japim mirëseardhjen atyre lojtarëve që kanë ardhur për herë të parë, që të ambientohen sa më shumë me ne. Ky grumbullim na vlen shumë për të ardhmen, gjithashtu edhe kjo miqësore me një ekip kaq të fortë sa Turqia. E vlerësojmë ndeshjen, jemi përgatitur shumë mirë. Ka qenë pozitive për trajnerin sepse na njeh më shumë. Pra grumbullimi dhe miqësorja bën vetëm mirë. Ne do ta vlerësojmë secili maksimalisht dhe do të shikojmë ku jemi, sa jemi rritur me njëri-tjetrin. Pra, t’i japim sinjale pozitive trajnerit dhe ta forcojmë grupin tonë. Kjo miqësore është perfekte për secilin prej nesh ne, kemi pasur kohë të përgatitemi. Nuk duhet të shohim problemet e Turqisë, por të mendojmë vetëm për ekipin tonë. Mendoj se ne duhet të japim 100% dhe ta mbyllim këtë vit me sukses”.

Golat e Sadikut janë 9 deri tani, në kombëtare: “Respektoj Erjon Bogdanin, Alban Bushin, apo edhe të tjerë që kanë shënuar shumë me përfaqësuesen. Unë do të mundohem të jap maksimumin, pse jo edhe t’i kaloj”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image