Hyka te San Hoze, transferimi i veçantë nga një… e-mail

0

A e dini si u mundësua transferimi i Jahmir Hykës te San Hoze? Me një e-mail! Po, me një mesazh elektronik dërguar nga Mo Xhonston, një ish-futbollist dhe trajner në kampionatin amerikan MLS. Mesazhi i drejtohej zëvendëstrajnerit të San Hozesë Xhon Spenser, një ish-shok skuadre i Xhonston te Reinxhers dhe ashtu si Xhonston, ish-futbollist i kombëtares skoceze. Gjithashtu, trajner i San Hozesë është Dominik Kinir, i lindur në Gllasgou, ndaj mesazhi ishte edhe për të. Përmbajtja e e-mailit përfshinte mesfushorin shqiptar, i cili i kishte rënë në sy Xhonstonit pas sinjalizimit nga një ish-shok skuadre te Seltiku, Rudi Vata i famshëm. Me atë e-mail, që përmbante edhe disa të dhëna rreth lojtarit, San Hoze nisi gjuetinë për Hykën. Kur gjithçka përfundoi me sukses në fillim të shkurtit, Ërthkuejs arriti të siguronte një mesfushor ofensiv me cilësi të jashtëzakonshme dhe shpejtësi të habitshme, diçka që i mungonte San Hozesë nga krahët e sulmit.

Ai është një nga ata lojtarë që, sapo e sheh, të ngjall interes të madh,” deklaron trajneri Kinir për MLSsoccer.com. “Shumë njerëz na dërgojnë shumë e-maile, por ky erdhi nga Mo Xhonston… dhe rezultoi diçka reale, diçka mjaft e mirë”. Hyka i tha agjentit të tij në verën e vitit të shkuar se dëshironte të transferohej në MLS, pas aprovimit të marrë edhe nga Xhani De Biazi. Kur doli në skenë San Hozeja, që më pas fitoi garën për shërbimet e tij, Hyka deklaroi: “Isha shumë i lumtur, sepse bëhej fjalë për Kaliforninë dhe të jem i ndershëm, shumë njerëz ëndërrojnë të luajntë aty. Jam shumë i kënaqur që jam këtu”.

Hyka është kthyer menjëherë në një lojtar kyç për San Hozenë, skuadër që sezonin e shkuar vendosi një rekord, por negativ, vetëm 32 gola të shënuar. Në 10 ndeshje (vetëm 6 prej tyre nga minuta e parë), mesfushori 29-vjeçar ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë tre asiste, duke qenë lojtari më produktiv në skuadër, pas sulmuesit të vetëm, kapitenit Kris Vondolovski. “Hyka ka atë lloj befasie që e bën mjaft të ndërlikuar për mbrojtësit kundërshtarë,” shprehet menaxheri i përgjithshëm Xhesi Fioraneli. “Asnjëherë nuk e di çfarë mund të presësh prej tij”. Hyka ishte në listën e Kuejks që para se Fioraneli të merrte frenat e skuadrës në “Avaya Stadium” në janar. Fioraneli e njihte Hykën që nga koha kur punonte te Lacio, nën urdhrat e Igli Tares. Duke qenë se San Hozeja paguante më shumë nëse lojtarët paraqiteshin herët në grumbullimin parasezonal, Fioraneli kishte si synim ta lironte Hykën që në janar nga Lucerna, për të mos pritur fundin e sezonit, kur mbaronte kontrata e Hykës me Lucernën. Me ndihmën e Fondit Shtesë të Merkatos, San hoze arriti të mbyllte gjithçka më 3 shkurt.

“Gjithçka duket se po shkonte në mënyrë perfekte në lidhje me kontratën dhe dëshirën e tij për të ardhur në Amerikë,” tha Kinir. “Mund të kesh interesim, por pastaj varet nga dëshira e lojtarit dhe aty mund të marrë fund gjithçka. Kur erdhi Fioraneli, ai ishte personi që bashkoi gjithçka”. Hyka fillimisht u ble si zëvendësues i panamezit Alberto Kuintero, i cili u largua për në Peru në fund të sezonit të shkuar, por Fioraneli ka vendosur që Hyka të luajë i avancuar në sulm, me një rol të papërcaktuar, duke lëvizur në të dy krahët dhe duke këmbyer rolet me Vondolovskin dhe Deni Hësenin. “Hyka ishte një lojtar që do ta kishim marrë me çdo kusht, për shkak të cilësive të tij të veçanta,” tha Fioraneli. “Për mendimin tim, ai është edhe më i paparashikueshëm sesa prisnim”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here