Humels-Myler-Leva, Bajerni do ndryshojë fytyrë në Madrid

0

Bajerni nuk ndalet. Edhe pse ndeshja e parë çerekfinale me Real Madridin në Champions League qe një dështim, sepse skuadra humbi 2-1, bavarezët besojnë se ky rezultat mund të përmbyset në “Santiago Bernabeu” më 18 prill. Ky besim nuk vjen rastësisht apo se thjesht kështu duhet të jetë sa herë që Bajerni është në vështirësi. Absolutisht jo. Arsyet janë rikthimet e dy lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës, aktualisht të dëmtuar, Robert Levandovski dhe Mats Humels. Kjo do të thotë e formacioni i kampionëve të Gjermanisë do të jetë ndryshe të martën, edhe sepse Havier Martinez nuk mund të luajë prej kartonit të kuq që mori në takimin e luajtur në “Allianz Arena”.

Ndryshimet

Parashikimet e mediave gjermane për formacionin e Bajernit janë logjike. Në qendër të mbrojtjes kundër Realit pritet të jetë dyshja Humels-Boateng, ndërsa mesfusha me shumë shanse do të përbëhet nga dyshja Tiago-Vidal. Nuk pritet të luajë Ksabi Alonso, sepse Karlo Ançeloti do të ketë nevojë për më shumë shpejtësi përpara mbrojtjes. Ndërkohë, Tomas Myler mund të rikthehet si trekuartist, duke mbështetur polakun Levandovski, i cili do të jetë më i uritur se kurrë për të shënuar ndaj “Galaktikëve”. Bajernit i duhen të paktën dy gola në Madrid dhe kjo është 11-shja më ofensive e mundshme për të fituar. Dilema e vetme mund të jetë aktivizimi i Tiago Alkantarës apo i Tomas Mylerit në pozicionin e trekuartistit, që do ta zgjidhë italiani Ançeloti.

Formacioni i mundshëm

Bajern (4-2-3-1): Nojer – Lahm, Boateng, Humels, Alaba – Vidal, Tiago – Roben, Myler, Riberi – Levandovski

 

Premtimi i polakut: Në Madrid do të jem gati!

Trajneri Karlo Ançeloti nuk do të dorëzohet për Mats Humelsin dhe Robert Levandovskin, por do t’i presë deri ditën e fundit para ndeshjes me Real Madridin. “Kemi gjashtë ditë kohë, kështu që mendoj se të dy lojtarët mund të rikuperohen”, – u shpreh tekniku italian për gazetën “Bild”. Sulmuesi polak, ndërkohë, në garantoi se do të jetë në fushë të martën. “Do të rikthehem në Madrid. Dhimbja është paksa intensive, prandaj nuk luajta në ndeshjen e parë, thjesht për të mos rrezikuar”, – komentoi 28-vjeçari.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here