Humbja e turpshme, tifozët dëbojnë futbollistët e Partizanit!

0

REPORTAZH/ Lojtarët tentuan të afrohen për të përshëndetur publikun e pranishëm në “Selman Stermasi”, por thirrjet “ik, ik” bënë që ata të mbeteshin në mesin e fushës dhe ktheheshin mbrapsht

Nga Anton Cicani

Duhet të ishte festë, u kthye në një “tragjedi”. Edhe pse futbolli është i tillë, i paparashikueshëm, sigurisht që në një ditë të diele, të etur për të ndjekur një ndeshje kampionati, tifozët e Partizanit kishin vrapuar në sportelin e biletarisë për të siguruar një biletë. Dhe, ajo që ra në sy në “Selman Stermasi” ishte sigurisht prania e shumë fëmijëve, familjarëve, por edhe femrave dhe të moshuarve. Pra, dy gjinitë, por edhe të gjitha moshat, pa harruar asnjë brez në këtë aspekt. Nga Tirana, por edhe rrethet, të gjithë gati për të shijuar sfidën dhe kuriozë për të parë Partizanin e ri, atë të orkestruar nga Luçiano Moxhi në merkato, nga stoli dhe afrimi i Mark Julianos te afrimet e kësaj vere, duke lënë vetëm disa nga skuadra e sezonit të shkuar.

Entuziazmi dhe pyetjet – Fillimi i ndeshjes ka qenë tepër entuziast, mes pyetjeve “kur do të rikuperohet Edgar Çani?”, apo “a ka ardhur edhe Bebeto në tribunë?”, por sidomos “pse luan Xhika dhe jo Alban Hoxha në portë?”. Mes dyshimeve dhe përgjigjeve që nuk vinin, më pas kanë duartrokitur lamtumirën e Lames, por sidomos kanë nisur me “forca” duke mbështetur skuadrën e kuqe dhe harruar sezonin e shkuar.

Duartrokitje – Me kalimin e minutave kanë ardhur edhe duartrokitjet e para, teksa ai që ka marrë më shumë ka qenë Blerim Kotobelli në krah, i “djallëzuar” me sprinte dhe sigurisht rifitime të topave.  Ka pasur duartrokitje edhe për Adorjan, blerjen e verës, hungarezi i rritur në Akademinë e Liverpulit. Edhe për Sukajn ka mbështetje madhore, edhe pse në disa raste ka nga ata që thonë “presim më shumë këtë sezon, të paktën të jetë në formën e tij”.

Irritim – E teksa po mbyllej pjesa e parë, menjëherë janë dhënë shenjat e para të irritimit. Loja nuk funksionon, rastet me pikatore, por sidomos shumë kaos dhe gjendje konfuzionale. Kërkohet edhe ndonjë ndërrim në emër të Julianos. E megjithatë, kur arbitri Alla vërshëllen fundin e pjesës së parë, tifozët nisin të diskutojnë mes tyre.

Kontestim – Në pjesën e dytë, kontestimi ndaj arbitrit Alla ka qenë i madh, në shumë momente, për faulla dhe kartonë të paakorduar. Por, sidomos, momenti i golit të realizuar nga Laçi me anë të Kallakut, me daljen aventureske dhe të gabuar të Xhikës, ka ndezur publikun. Ose, e thënë ndryshe, pjesën më të madhe. Fyerje, ofendime dhe shumë akuza ndaj portierit, për atë dalje dhe gabim, që ka kushtuar jo pak. Me kalimin e minutave, Xhika është harruar, teksa në shënjestër kanë nisur të përfundojnë futbollistët, teksa vetëm grupimi “Ultras Guerrils” ka vazhduar të mbështetur. Goli i dytë i Laçit, më pas, ka sjellë edhe shpërthimin: Ikni, Ikni! Zhdukuni nga fusha, hiqni fanellën. Kanë qenë këto thirrjet e përsëritura, teksa kanë nisur të shajnë edhe Julianon, por sidomos disa nga lojtarët, të cilët madje në disa momente kanë ulur edhe kokën.

Vërshëllima –  Në fund të takimit, pasi arbitri ka vërshëllyer tri herë duke vendosur fundin e ndeshjes, ka ardhur edhe kontestimi madhor. E ndërsa futbollistët menduan që të shkonin dhe përshëndesnin tifozerinë, askush nuk i ka pranuar. Madje, ndoshta si rrallë herë, edhe “Guerrils” kanë qenë të ftohtë. Gjithë tribuna karshi ka qenë e revoltuar, ndërsa lojtarët më pas janë kthyer kokulur në dhomat e zhveshjes, edhe pse kishte nga ata që bënin fotografi me fëmijët, si Xhixhua…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image